Haradinaj ia merr Veselit, Naim Bazajn: Brenda dy tri ditëve vijnë ata tek shpija dhe merremi vesh...

  • 27 July 2019 - 14:33
Haradinaj ia merr Veselit, Naim Bazajn: Brenda dy tri ditëve vijnë ata tek shpija dhe merremi vesh...

Fotografia e djeshme e publikuar nga deputeti i AAK’së Daut Haradinaj, ku shihet së bashku me Naim Bazajn, nuk ka qenë fare rastësi. Kjo pasi që Bazaj ka vendosur përfundimisht të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës që udhëhiqet nga Kadri Veseli dhe t’i bashkohet AAK’së së Ramush Haradinajt.

Këtë e ka konfirmuar vetë Bazaj.

“Po, po. Besoj që brenda dy tri ditëve vijnë ata tek shpija dhe merremi vesh” ka thënë Bazaj i pyetur se a ka vendosur përfundimisht të kalojë në AAK.

Për arsyet e kalimit në AAK, Bazaj thotë që nuk ka ndonjë, përveç asaj që nuk dëshiron që të jetë më në partinë e Kadri Veselit.

Bazaj thotë se AAK’ja është një parti që krerët e saj kanë qenë më të vërtetë pjesë e luftës. 

“Arsyeja, pa arsye hiq…Sepse qëllimi është që së pari nuk dua të jem pjesë e PDK’së, dhe për këtë qëllim desha të shkojë aty ku më të vërtetë është edhe pjesë e luftës”, ka sqaruar ai.

Ky largim i tij nga PDK’ja vjen pas një sërë akuzash që kishte drejtuar ndaj kreut të PDK’së, Kadri Veseli, dhe kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, se i kishin futur duart edhe në procesin e brendshëm zgjedhor të partisë.

Sipas tij ajo çfarë kishte ndodhur në zgjedhjet e brendshme në Degën e PDK’së në Drenas nuk ndodh as në Afrikë.

Për Kadri Veselin kishte thënë se e ka dërguar në ‘humnerë’ PDK’në , dhe e kishte akuzuar se kishte dërguar njerëz nga Prishtina, me të vetmin qëllim për të mos lejuar që Bazaj të zgjidhej në krye të Degës në Drenas.

 “Kadri Veseli e ka qu në humnerë PDK-në. Arsyja pse mas pari as një çerek ska mujtë me bë bashkë në Mitrovicë dhe jo vetëm në Drenas, e ka qu poshtë partinë me politikat e tij të mrapshta dhe me zagarët e tij që i ka qu prej Prishtinës, ministra e deputetë. I ka pru në Drenas veç me kusht qe mos mi kalu votat”, kishte deklaruar Bazaj për kallxo.com  më 18 maj të këtij viti.

Në garën e brendshme për kryetar të PDK’së në Drenas, Bazaj ishte mposhtur nga ish-shefi i Postë së Kosovës, Sejdi Hoxha.

Kjo lëvizje e Bazajt drejt AAK’së mund të quhet edhe si fillim i aderimeve, kur tashmë Kosova është në prag të caktimit të datës së re të zgjedhjeve të parakohshme, pas dorëheqjes së parevokueshme të Ramush Haradinajt, nga posti i kryeministrit.

Sipas burimeve në të cilat është thirrur televizioni publik i Kosovës, zgjedhjet e reja me gjasë do të mbahen më 8 shtator.

Image

(Kosova Sot Online)