Strukturat e LDK’së “tashmë e dinë se kë do ta kenë kryetar”

  • 27 korrik 2019 - 20:37
Strukturat e LDK’së “tashmë e dinë se kë do ta kenë kryetar”

Me grushte e karrige është karakterizuar procesi i zgjedhjes së strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por, derisa ka mbetur edhe pak ditë deri në përfundimin e zgjedhjeve të brendshme në këtë parti, ende nuk dihen kandidatët për kryetar të Lidhjes Demokratike, raporton ktv.

Deri më tani, të gatshëm për të udhëhequr me LDK-në, janë deklaruar Fatmir Sejdiu dhe Lutfi Haziri.

Përveç tyre, për kryetar të LDK-së, janë përmendur edhe emrat e Isa Mustafës, Agim Veliut e Vjosa Osmanit .

Gjithë këtë proces, njohësit e çështjeve politike në vend, janë duke e parë në këndvështrime të ndryshme.

Analisti Fisnik Halimi thotë se strukturat e brendshme, tashmë e dinë se kë do të kenë kryetar.

Ai beson se kryetari i ardhshëm i LDK-së nuk është në listën e kandidatëve potencialë të përmendur deri më tani.

Por, ndryshe mendon analisti tjetër, Krenar Shala.

Ai thotë se nuk do të ketë risi në kuvendin zgjedhor që do të mbahet javën tjetër.

Në anën tjetër, Muhamet Hamiti nga LDK-ja, të premten mbrëma në Interaktiv, ka thënë se LDK-ja ka marrë mësim nga problemet me të cilat është karakterizuar procesi zgjedhor.

Ish- ambasadori ka shtuar se LDK-së, i duhet një lider që i bashkon të gjithë.

Procesi i brendshëm zgjedhor në LDK ka filluar në mars të këtij viti, derisa Kuvendi Zgjedhor do të mbahet më tre gusht.

(Kosova Sot Online)