Adoleshenti britanik fiton 1.12 milionë dollarë për vendin e dytë në lojën Fortnite

  • 28 July 2019 - 14:16
Adoleshenti britanik fiton 1.12 milionë dollarë për vendin e dytë në lojën Fortnite

Djaloshi 15-vjeçar nga Britania e Madhe, Jaden Ashman, i cili në lojën “Fortnite” e ka nofkën “Wolfiez”, i ka fituar 1.12 milion dollarë pasi u shpall fitues i vendit të dytë në Kupën e Botës për këtë lojë.

Të njëjtën shumë e ka fituar edhe bashkëlojtari i tij nga Holanda, Dave Jong. Ata u mposhtën me rezultat të ngushtë nga norvegjezi Emil Pedersen dhe austriaku David W.

Britaniku tha se është i mahnitur me rezultatin e arritur në garën botërore për këtë lojë, e cila po mbahet në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara.

Ndryshe nga lojtarët e tjerë, nxënësi britanik nuk është shumë i njohur për aftësitë e tij. Ai i ka pak ndjekës në rrjetet sociale.

Më shumë se 100 finalistë janë duke marrë pjesë në garën treditore të lojërave të ndryshme. Rreth 40 milionë lojtarë kanë aplikuar për të qenë pjesë e këtij organizimi.

Fituesit në kategori të ndryshme do t’i fitojnë gjithsej 30 milionë dollarë, ndërsa ai që e zë vendin e parë në lojën Fornite shpërblehet me tre milionë dollarë amerikanë.

Kjo lojë u bë e famshme që nga lansimi i saj para dy vjetësh. Më shumë se 250 milionë njerëz e luajnë atë në mbarë botën, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)