Britania do t’i shpenzojë 1 miliard funte për Brexit-in pa marrëveshje me BE-në

  • 28 July 2019 - 16:02
Britania do t’i shpenzojë 1 miliard funte për Brexit-in pa marrëveshje me BE-në

Shefi i ri i ministrave britanikë, Sajid Javid, është duke e planifikuar shpenzimin e rreth një miliard funteve për t’u siguruar se procesi i Brexit-ti të zhvillohet si duhet në rast të daljes pa marrëveshje të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Javid tha se do ta përmirësojë qasjen e autoriteteve të thesarit ndaj Brexit-it, duke nisur nga shpenzimi i fondeve shtesë në ditët e ardhshme për ta përgatitur plotësisht Britaninë për largim nga Bashkimi Evropian, me apo pa marrëveshje, më 31 tetor.

Në këtë plan do të përfshihej edhe financimi i një fushatë të gjerë informuese për individë dhe biznese lidhur me ndryshimet që do të ndodhnin në rast të shkëputjes pa marrëveshje nga Bashkimi Evropian.

Në një intervistë për gazetën angleze “Sunday Telegraph”, ai shtoi se ka planifikuar t’i angazhojë 500 policë kufitarë dhe do të investohet edhe në infrastrukturën e porteve në mbarë vendin. 

Paraardhësi i Javidit, Philip Hammond, i cili e kundërshtonte largimin nga BE-ja pa marrëveshje kalimtare, ishte akuzuar nga përkrahësit e Brexit-it se nuk ka shpenzuar sa duhet të holla për procesin e Brexit-it në rast të dështimit të marrëveshjes me Brukselin.

Kryeministri i ri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se dëshiron ta rishqyrtojë marrëveshjen me BE-në për Brexit-in, por gjithashtu është treguar i gatshëm ta largojë vendin e tij nga Bashkimi Evropian edhe pa marrëveshje, nëse është e nevojshme, shkruan “Daily Mail”.

(Kosova Sot Online)