Ish-zyrtarja e Kadastrit thotë se Komuna e Prishtinës e largoi nga puna veç pse u sëmur

  • 28 July 2019 - 16:31
Ish-zyrtarja e Kadastrit thotë se Komuna e Prishtinës e largoi nga puna veç pse u sëmur

Minire Hajdini, ish-zyrtare e lartë në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunë e Prishtinës, po pretendon se është larguar padrejtësisht nga puna. Shkak për këtë po thotë të jetë gjendja e saj shëndetësore.

Për më shumë se dy vite kishte ushtruar detyrën e zyrtares së në Drejtorinë e Kadastrit, por me keqësimin e gjendjes shëndetësore, Hajdinit i është dashur të kërkojë herë pas herë pushim mjekësor për trajtim.

Fillimisht kishte problem me dorën e djathtë, të cilën thotë se për një kohë e ka mbajtur në gips. Pavarësisht kësaj, Hajdini thotë se  e ka vazhduar punën edhe pse me vështirësi në lëvizje. 

Pas një kohe jo të gjatë, Hajdini thotë se i janë shfaqur probleme tjera shëndetësore.

Pas ekzaminimit, Hajdini është diagnostikuar me një sëmundje autoimune dhe kronike, Artritis Reumotaides, sëmundje kjo e cila manifestohet me shtangime të përgjithshme , vështirësi në lëvizje, probleme me shikim etj.

Pas kësaj, Hajdini thotë se nga data 16 mars e vitit 2018 deri me datën 5 prill të po të njëjtit vit, është hospitalizuar në Klinikën e Reumatologjisë në QKUK. Ajo kishte marrë pushim mjekësor nga data 27 shkurt deri më 10 prill. Pushimi me pagesë i është aprovuar për një muaj, ndërkaq për 9 ditë tjera të mbetura ka marrë pushim pa pagesë.

Nga data 14 qershor 2018, Hajdini e ka vazhduar punën e saj, por gjendja shëndetësore i është keqësuar prapë. Pas kësaj, ajo ka kërkuar pushim të veçantë mjekësor.

Hajdini kishte vendosur ta vazhdojë trajtimin e saj në spitalin ushtarak në Beograd, dhe kërkesën për pushim të veçantë mjekësor ajo e ka bërë në Sektorin e Burimeve Njerëzore të Komunës së Prishtinës. 

E për këtë kërkesë të saj, Hajdini thotë se nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ndërkaq ajo nuk kishte shkuar në punë, e për këtë është bazuar në Nenin 100, nga paragrafi i Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, nr 05/L sipas në të cilin thuhet se nëse pala ka kërkuar nxjerrjen e një akti administrativ të shkruar nga organi publik nuk e njofton palën për aktin administrative brenda afatit fillestar dhe nuk njofton shtyrjen apo nuk njofton për aktin Brenda afatit të shtyrë, sipas nenit 98 gjegjësisht 99 të këtij Ligji, kërkesa e bërë nga pala do të vlerësohet e pranuar në tërësi dhe akti administrative I kërkuar nga pala do të vlerësohet të jetë miratuar.

Pas kësaj, Hajdini thotë se është ftuar nga Komisioni Disiplinor i Komunës së Prishtinës, pa kurrfarë njoftimi paraprak.

Hajdini ka thënë se i është përgjigjur thirrjes së Komisionit, pa e ditur se për çfarë bëhet fjalë, pasi nuk ishte paralajmëruar për një thirrje të tillë.

Komisioni I ka bërë me dije se ndaj saj është iniciuar procedurë disiplinore, për mosparaqitje në punë pa paralajmërim. Por, Hajdini thotë se për mungesën e saj në punë e ka lajmëruar Udhëheqësen e Drejtpërdrejtë, Rina Govorin, përmes emailit dhe telefonit.

Në muajin nëntor të vitit 2018, Hajdinit i është ndalur paga mujore, e kjo sipas saj është bërë pa paralajmërim apo njoftim paraprak nga KP’ja.

Pas pesë muajsh prej kur e kishte bërë kërkesën për pushim mjekësor të veçantë, Hajdinit nuk i është aprovuar kërkesa.

Ajo thotë se është ftuar nga Komisioni Mjekësor i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për vlerësimin e aftësive për punë, sipas kërkesës së Komisionit Disiplinor të Komunës së Prishtinës.

Komisioni mjekësor ka konstatuar se tek Hajdini nuk ekziston paaftësia për punë. Ndërkaq ajo këtë e quan shkelje, pasi sipas saj ky vendim është nënshkruar nga mjeku për punë dhe neurologu, ndërkaq nuk është nënshkruar nga mjeku specialist i sëmundjes përkatëse.

E për tërë këto pretendime, Hajdini thotë se ka bërë ankesë ndaj Komunës së Prishtinës.

Media ka dërguar pyetje në Zyrën për Informim në Komunën e Prishtinës, lidhur me rastin e Minire Hjadinit, por edhe pas një jave pritje, kjo zyrë nuk është përgjigjur.

(Kosova Sot Online)