Paralajmërimi i tmerrshëm për LDK-në: Nëse ndodhë kjo gjë, do ta fundos partinë

  • 24 July 2019 - 12:11
Paralajmërimi i tmerrshëm për LDK-në: Nëse ndodhë kjo gjë, do ta fundos partinë

“Futja e kandidatëve të Shpend Jahtit në listën e LDK-së, do ta fundoste LDK-në, ashtu siç do ta fundosë koalicioni për të tretën herë radhazi me PDK-në”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Florim Zeqa duke parë hezitimin e LDK-së që të merr vendim të hershëm për një koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, për tu përgatitur më mirë për zgjedhjet e parakohshme, konsideron se ky subjekt politik është duke rrezikuar të rrëshqet edhe njëherë drejtë një koalicioni me PDK-në ose PSD-në, gjë që do të ishte me rrezik të madh për humbje të re të elektoratit të LDK-së dhe humbje të besimit tek qytetarët, për shkak të lidhjes së marrëveshjeve për bashkëqeverisje më partitë politike të identifikuara e të etiketuara për lidhjet me krim e korrupsion.

Image
Florim Zeqa

“Mos gatishmëria e LDK-së për një koalicion parazgjedhor me LVV-në ka vënë në pikëpyetje mundësinë e dërgimit të PDK-së në opozitë. Çdo lidhje e koalicionit me partitë e kriminalizuara, LDK-së do i shtohet edhe më tej një hise e krimit, gjegjësisht do të njolloset e baltoset akoma më shumë imazhi i partisë, dikur sinonim i së mirës, besës e shpresë së shqiptarëve të Kosovës”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë, Zeqa konsideron se gjithçka në LDK do të qartësohet pas një jave, përkatësisht pas kuvendit të IX-të të LDK-së, kur përfundimisht do të qartësohet rrugëtimi i kësaj partie në katër vitet e ardhshme dhe jo vetëm.

Mirëpo sinjalet për lidhje me partitë e krimit, sipas tij janë mjaft evidente.

“Ditëve të fundit, jo pa të drejt (pas kontakteve të zyrtarëve të LDK-së dhe PSD-së) janë shtuar zërat për një koalicion të mundshëm të PSD-së së Shpend Jahtit, përkatësisht të klanit kriminal "COCA COLA ZERO" me LDK-në. Futja në listën e LDK-së e kandidatëve të Shpend Jahtit do ta fundoste LDK-në, ashtu siç do ta fundosë koalicioni për të tretën herë radhazi me PDK-në”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Sipas tij, sa më shumë që po ofrohet 3 shtatori, dita e aktit final të zgjedhjes së organeve drejtuese të LDK-së, përkatësisht liderit të partisë, gjithnjë e më shumë po rriten edhe spekulimet për të parin e partisë dhe kandidatin për kryeministër të ardhshëm të vendit, siç pretendon subjekti më i madh opozitar.

“Por, nëse i referohemi rezultateve të procesit zgjedhor nëpër degë, pak mbetët për të shpresuar për ndryshimin e duhur dhe substancial në LDK, për shkak se baza deleguese për Kuvendin e IX-të, është e zgjedhur me direktivat e mbështetësve të liderit aktual, e cila më shumë e favorizon vazhdimësinë sesa ndryshimin në këtë subjekt politik. Prandaj, bazuar në këto rrethana, do të ishte iluzive të pritej ndryshim në Kuvendin e IX-të Zgjedhor të LDK-së nga një bazë deleguese tërësisht e kontrolluar dhe influencuar nga kryetarët e degëve dhe nëntoka e sëmurë dhe kriminale e LDK-së. Mbase në dukje të parë, akuzë e rëndë kjo, por është realitet i pamohueshëm që burimin e ka nga bashkëjetesa e gjatë e LDK-së me nëntokat e kriminalizuara dhe korruptuara, si rezultat i së cilës edhe në këtë subjekt, filluar nga lideri i partisë kemi politikanë milionerë, biznesmen të kriminalizuar dhe sekserë partiakë që punojnë në shërbim të grupeve të interesit jashtë partisë”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Madje ai ka thënë se LDK-ja, edhe pse në opozitë, një dorë e ka pasur të zgjatur gjithmonë në pushtet, lidhje kjo që mundë të shërben tani për vazhdim të koalicionit.

“Edhe pse i "ndanë" pushteti, nëntoka kriminale i bashkon interesi personal në zhvatjen e milionave të shtetit në borde dhe agjenci, në tenderë dhe komisione parlamentare, ku LDK-ja gjithmonë e ka pasur hisen e vetë’, përfundoi Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)