Miku i Trumpit u përpoq të përfitonte nga marrëveshja bërthamore në Lindjen e Mesme

  • 30 July 2019 - 09:03
Miku i Trumpit u përpoq të përfitonte nga marrëveshja bërthamore në Lindjen e Mesme

Tom Barrack, miliarder dhe mik i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kishte bërë një plan për ta blerë kompaninë “Westinghouse Electric Corp”. Ai kërkonte nga Trumpi që të bëhet i dërguar special dhe ta promovojë punën e kësaj kompanie në fushën e energjisë bërthamore në Arabinë Saudite. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga një raport i Kongresit.

Ndonëse miliarderi kishte dështuar t’i arrinte këto qëllime, raporti paraqet dëshmi për lehtësinë me të cilën disa korporata dhe grupe të huaja të interesit i janë qasur presidentit amerikan dhe zyrtarëve tjerë të lartë të administratës së tij.

Në raport thuhet se këto gjetje ngritin pyetje serioze për atë se a është Shtëpia e Bardhë e gatshme që t’i vendosë përfitimet e mundshme të miqve të presidentit mbi sigurinë kombëtare dhe objektivit të përgjithshëm për parandalim të përhapjes së armëve bërthamore.

Ky është raporti i dytë që ka dalë nga hetimet e panelit të Kongresit lidhur me planin për ndërtim të 40 qendrave për prodhim të energjisë bërthamore në Arabi Saudite dhe në disa shtete të tjera në Lindje të Mesme. Ky plan është përkrahur nga këshilltari i parë për siguri kombëtare i presidentit Trump, Michael Flynn.

Raporti është mbështetur në mijëra dokumente të siguruara nga kompanitë private, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk e ka ofruar asnjë dokument për këto hetime, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online )