Denoncimi i rëndë: Qeveria e Haradinajt, argat besnik i Blerim Devollit

  • 30 July 2019 - 13:14
Denoncimi i rëndë: Qeveria e Haradinajt, argat besnik i Blerim Devollit

“Me indiferencën skajshme, Qeveria e Kosovës në dorëheqje është duke ia bërë një argat tjetër besnik kriminal Blerim Devollit dhe operatorit virtual Z-Mobile”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Florim Zeqa e konsideron të pa drejtë anashkalimin e problemit të Telekomit nga ana e qeverisë Haradinaj, pavarësisht se është qeveri në dorëheqje, dhe tani punëtorët e Telekomit detyrohen që me veprimet e tyre të njëanshme të ballafaqohen me shkatërruesit e këtij gjiganti, duke i ndërprerë kontratën operatorit Z- mobile pa e pasur as edhe një mbështetje minimale nga ana e qeverisë.

Duke vepruar kështu, sipas analistit Zeqa, kabineti qeveritar i tëri u shndërrua në shërbëtor të Devollit, por fatmirësisht punëtorët e Telekomit vendosën vetë.

Image
Florim Zeqa

“Përderisa ish kryeministri Haradinaj kthimin e tij në qeveri e arsyeton me mbulimin e vakuumin institucional dhe interesin e qytetarëve, këtë nuk po e bënë në praktikë rastin e Z-Mobile. Me indiferencën skajshme, Qeveria e Kosovës në dorëheqje është duke ia bërë një argat tjetër besnik kriminal Blerim Devollit dhe operatorit virtual Z-Mobile edhe duke heshtur para protestës dhe grevës së filluar nga sindikata e pa varur e punëtorëve të Telekomit kundër vazhdimit të kontratës kriminale dhe kundër tentativës për zhvatje të 25 milion eurove përmes përmbarimit të vendimit të Gjykatës s së arbitrazhit ndërkombëtar”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ndryshe, sipas analistit Zeqa, kjo heshtje e qeverisë është gjë tjetër veç se një dorëzim përfundimtar para krimit të organizuar të kompanisë, Devolli vetëm për shkak se me dekada i ka lagë futin secilit lider të këtyre subjekteve politike, ju ka financuar edhe fushatat zgjedhore dhe jo vetëm kaq, për t’i bërë tani favor kriminal duke rrezikuar një kompani publike me falimentim. 

“Kthimi i jashtëligjshëm dhe antikushtetues i Haradinajt në qeveri vërtetë do të kishte kuptim, sikur t'i mbronte me 25 milionët e Telekomit pa shkuar në arbitrazh ndërkombëtar. Nëse kanë ligjshmëri emërimet dhe vendimet që po merr çdo ditë qeveria në dorëheqje, do të kishte ligjshmëri edhe vendimi i qeverisë për ndërprerjen e kontratës kriminale të Z-Mobile. Mbase për asgjë tjetër, akti i drejtë dhe i guximshëm i qeverisë në dorëheqje pa kryeministër, do të paraqiste mbështetje të madhe morale për punëtorët e Telekomit, që të vetëm pa mbështetje të spektrit politik po bëjnë përpjekje titanike për të shpëtuar kompaninë më fitimprurëse në vend nga falimentimi që po i troket në derë tani e sa kohë, para syve të pushtetarëve dhe qytetarëve, para syve të prokurorëve dhe gjyqtarëve”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)