Bie alarmi për LDK-në: Janë dy kandidatë që SHIK-u do të preferonte për kryetar

  • 21 July 2019 - 07:30
Bie alarmi për LDK-në: Janë dy kandidatë që SHIK-u do të preferonte për kryetar

“Janë së paku dy kandidat që SHIK-u do të preferonte, mbase edhe ndikon për zgjedhjen e tyre”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Derisa po afron data 3 gusht, kur LDK do të mbajë Kuvendin zgjedhor për zgjedhjen e lidershipit të ri të partisë, gara brenda partiake për kreun e partisë është zgjeruar dhe ka zgjuar interesimin e madh të opinionit publik. Dita ditës kjo garë vjen e bëhet akoma më interesante duke pasur parasysh ekseset e shumta që përcollën zgjedhjet brenda partiake në nivel degësh, për të cilat çrregullime pati akuza për infiltrimin e individëve nga subjekte të tjera politike në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar, duke përmendur këtu edhe strukturën e SHIK-ut.

Image

E duke folur për zgjedhjet në LDK, analisti politik, Nexhat Haziri thotë që me arritjen e marrëveshjes për kandidim të lirë dhe transparent, LDK-ja do ta kalojë këtë sfidë që kishte gjatë zgjedhjeve në nivel degësh dhe kështu do të bëhet parti model për zhvillimin e garës së brendshme demokratike për pozitën e të parit, pavarësisht se kush do ta merr timonin.

“Pa marrë parasysh ekseseve që e përcollën LDK-në gjatë procesit zgjedhor në strukturat e degëve të saja, paralajmërimi i shumë kandidaturave për kryetar, siç është ajo e Hazirit, Osmanit, Hoti, Mustafa, Veliu dhe ish-presidentit Sejdiu në Kuvendin Zgjedhor, mund të themi se LDK-ja, po tenton zhvillimin e një demokracie të brendshme partiake, përmes garës që është një kriter shumë i rëndësishëm për demokratizimin dhe funksionimin e partive politike me demokraci gjithëpërfshirëse vendimmarrëse, e cila do të përjashtonte liderizimin dhe teknokracinë,kontrollimin e partisë nga një njeri i vetëm, me çka vazhdojnë të karakterizohen shumica e partive politike në skenën kosovare, për të mos thënë të gjitha”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, imazhi dhe besimi i qytetarëve në LDK do të varet shumë nga mënyra se si do të menaxhohet Kuvendi zgjedhor për të parin e LDK-së, liderin e ardhshëm me mandat të ri.

“Është shumë më rëndësi se si do të menaxhohet tani kjo garë me 3 gusht dhe rezultati që do të prodhoj procesi i votimit të këtyre kandidatëve dhe cili do të jetë kandidati që përpos që do të zgjidhet në krye të LDK-së, është mjaftë me rëndësi se si do t’i menaxhojë apo inkorporoje edhe interesat e kundër kandidatëve nga grupet rivale brenda LDK-së. Me duket se lidershipi I LDK-së tashmë është i vetëdijshëm, mbase edhe mund të ketë marrë një mësim të mirë nga e kaluara si nga Kuvendi i largët I karrigeve në vitin 2006, por edhe nga kuvendi i fundit në të cilin LDK-ja, bëri një hap prapa sa i përket demokracisë dhe garës politike të brendshme dhe cili do skenar i përsëritur në kuvendin e 3 gushtit, do të ishte fatal për LDK-në”, deklaroi Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Megjithatë, sipas tij ka disa informata që po qarkullojnë, se në LDK, është duke u biseduar ideja e Lutfi Haziri, që edhe kësaj radhe kryetari i partisë të zgjidhet me marrëveshje, ide kjo që nuk është më e mira, por e mundshme për rrethanat dhe nivelin e demokracisë në shoqërinë tonë.

Sido qoftë ai edhe në këtë rast nuk e përjashton mundësitë e përpjekjes për sabotim nga jashtë, nga strukturat e SHIK-ut, sikur kanë vepruar edhe në të kaluarën

“Sa i përket involvimit të SHIK-ut, nuk do të thosha se është diçka e re apo sensacionale të themi se SHIK-u, ka qenë dhe vazhdon të jetë prezent edhe në LDK sikur edhe në partitë tjera politike të Kosovës dhe është e natyrshme të pritet tentimi për të ndikuar në zgjedhjet e brendshme të LDK-së. Janë së paku dy kandidat që SHIK-u do të preferonte, mbase edhe ndikon për zgjedhjen e tyre”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”, por duke mos dashur që të apostrofon emrat e kandidatëve që kanë simpatinë e SHIK-ut.

(Kosova Sot Online)