Gjendja e rëndë, Kosova përballë shpërthimit të një ‘cunami’

  • 31 July 2019 - 07:36
Gjendja e rëndë, Kosova përballë shpërthimit të një ‘cunami’

“Duhet të krijohen kushte ku vullneti politike i mirëfilltë nuk do të abuzohet e keqpërdoret. Ka Kosova njerëz me integritet dhe të dijshëm por në këtë fushën e kontaminuar nuk po mund të vijnë në shprehje”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ish kreu i Agjencionit Kundër Korrupsion në Kosovë, Hasan Preteni thotë se zgjedhjet e shpeshta të parakohshme që po ndodhin në Republikën e Kosovës, e kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë rëndë zhvillimin e vendit. Sipas tij, të gjitha këto zgjedhje të parakohshme dëshmojnë mungesë të stabilitetit politik dhe dekurajojnë investitorët e huaj për të ardhur me projekte zhvillimore investive në shtetin tonë.

Image

Madje Preteni, akuzon sidomos klasën politike të instaluar në institucione në periudhën pas pavarësisë, që sipas tij ka infiltruar kudo në institucione njerëz të pa dituar, pa integritet moral e profesional, madje edhe të korruptuar, për çka humbet besimi ndërmjet subjekteve politike e më pastaj edhe besimi te qytetarët.

“Nuk ka klimë pozitive, nuk ka besim në rregullsitë e procesit zgjedhor. Për atë, kësaj gare nuk po ju hyjnë njerëzit me dije dhe integritet moral e profesional. Në aspektin intelektual, profesional dhe njerëzor më të fuqishme kanë qenë strukturat shtetërore të para shpalljes së pavarësisë se që janë tani, sepse aso kohe ishim në fazën e dominimit të një idealizmi real ku konkurronte edhe inteligjenca’, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo degradimi dhe stërkeqja sipas tij, ndodhi pas shpalljes së pavarësisë e deri më sot.

“Me kalimin e kohës mafia e maskuar me petkun e çlirimtarit u pasurua jashtëligjshëm, e bëri lekun dhe nuk i ndali apetitet. Ju vërsul pushtetit, i siguroi-vodhi votat dhe tani po e përdorë pushtetin për të bërë më shumë lekë dhe për ti shlyer gjurmët e krimit”, shtoi më tej Preteni për “Kosova Sot Online”.

E kur mafia prin në proces, atëherë sipas Pretenit nuk mundë të ketë institucione të qëndrueshme e stabile, e sa për perspektivë zhvillimore as që mundë të flitet.

“Sa intelektuali i mirëfillte ishte në parlament në fillimin e shekullit e sa janë tani, sa doktor e profesor ishin e sa janë, cili ishte niveli i kriminalizimit atëherë dhe tani. Të gjitha ishin më mirë atëherë se tani. Prandaj duhet të ndodhë një pastrim i kësaj skene kundërmuese,të ndodhe një Cunami i vërtetë i cili nuk kishte me e dëmtuar pasurinë ligjore por që do të pastronte shtetin nga kriminelët. Na duhet një skenë politike e re dhe e pa komprometuar, kemi ardhur në atë derexhe që po i lakmojmë Maqedonisë Veriore dhe Ukrainës. Duhet të krijohen kushte ku vullneti politike i mirëfilltë nuk do të abuzohet e keqpërdoret. Ka Kosova njerëz me integritet dhe të dijshëm por në këtë fushën e kontaminuar nuk po mund të vijnë në shprehje”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)