Djaloshi 3 vjeç bie nga kati i gjashtë, kalimtarët e shpëtojnë me batanije

  • 31 July 2019 - 10:38
Djaloshi 3 vjeç bie nga kati i gjashtë, kalimtarët e shpëtojnë me batanije

Një fëmijë 3 vjeç, i cili ka rënë nga kati i gjashtë i një ndërtese në Kinë, është shpëtuar mrekullisht nga disa kalimtarë, të cilët e kanë pritur atë me një batanije dhe nuk e kanë lënë të bie në tokë.

Në disa fotografi të publikuara shihet fëmija duke u mbajtur vetëm me duar në ballkon. Ai mundohet të ngjitet, por i rrëshqasin këmbët dhe bie. Ngjarja ndodhi në qytetin jugperëndimor kinez, Chongqing.

“Shikova lart dhe e pashë fëmijën e vogël, që ishte kacavarur në ballkon. U mundova të gjej diçka për ta kapur. Së pari mendova të shkoj lart dhe ta kap me duar, por një gjë e tillë nuk do të kishte funksionuar”, tha Zhu Yanhui, i cili punon për kompaninë e menaxhimit të pronave.

Ai shtoi: “E morëm një batanije dhe së bashku me disa persona të tjerë i mbanim sytë te fëmija. E vetmja gjë që kishim në mendje ishte siguria e tij”.

Një grup njerëzish e formuan një rreth, duke e mbajtur fort batanijen dhe duke e shikuar djalin e vogël.

Sipas një televizioni kinez, në mesin e njerëzve që ndihmuan në shpëtimin e djalit kishte banorë të ndërtesës, roje të sigurisë dhe punëtorë sanitarë. Ai u dërgua në spital, por mjekët vërtetuan se nuk ka pësuar lëndime, shkruan “CCN”.

Image

 

(Kosova Sot Online)