Haradinaj takon një delegacion të Këshillit të Boshnjakëve të Malit të Zi

  • 31 July 2019 - 11:33
Haradinaj takon një delegacion të Këshillit të Boshnjakëve të Malit të Zi

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të Këshillit të Boshnjakëve të Malit të Zi që veprojnë në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i kryesuar nga Esad Rastoder dhe i shoqëruar nga deputetja Emilia Rexhepi.

Me këtë rast, Haradinaj i njoftoi të pranishmit me të arriturat e vendit, proceset politike dhe angazhimin e ekzekutivit në respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve dhe ofrimin e kushteve për ta, pa dallime.

Kryeministri në detyrë e ka falënderuar Këshillin e Boshnjakëve të Malit të Zi, rrjet ky që është zgjeruar më vonë edhe në përfshirjen e boshnjakëve nga Kosova, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Sanxhaku, Kroacia, Sllovenia për krijimin e një rrjeti të komunikimit, duke ndihmuar boshnjakët përmes projekteve të ndryshme.

“Historia e komunitetit boshnjak në Kosovë është shembull i jetës së përbashkët, është histori e jona, ku bashkë e kemi ndarë të mirën dhe sfidat”, tha ai.

Haradinaj ka theksuar rëndësinë e respektimit të njëri-tjetrit, pavarësisht dallimeve duke konsideruar si njërin prej komuniteteve që është angazhuar në të gjitha proceset e shtetndërtimit të Kosovës.

Ndër tjerash, ai shtoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për një kujdes të shtuar institucional ndaj komunitetit boshnjak, por edhe gjithë komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë.

Nga ana e tyre, Këshillit i Boshnjakëve të Malit të Zi që veprojnë në New York të ShBA-së e falënderuan Haradinajn për pritjen dhe për përkushtimin e tij që t’iu qëndrojë afër komuniteteve të Kosovës.

(Kosova Sot Online)