Ambasadori Kosnett tregon se prapa Evropës është Kosova me ekonomi

  • 31 July 2019 - 17:04
Ambasadori Kosnett tregon se prapa Evropës është Kosova me ekonomi

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka marrë pjesë në festën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë.

Kosnett tha se SHBA është e përkushtuar për të mbështetur popullin e Kosovës.

“Qeveria amerikane është e përkushtuar për të mbështetur popullin e Kosovës, komunitetin afarist dhe qeverinë për të mundësuar përparimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe pakicave.  Jemi të përkushtuar për të ndihmuar Kosovën për ta ndërtuar sektorin privat dhe për të vazhduar bashkëpunimin me institucionet e Kosovës për të vënë vendin në drejtim të duhur për të qenë më e pavarur ekonomikisht”, tha Kosnett

Ambasadori ka folur edhe për sfidat që përballet Kosova sidomos në zhvillimin ekonomik.

“Tash për tash, rritja në vend sillet rreth 4 për qind.  Kjo mund të duket mbresëlënëse, por Kosova për kokë banori  prodhon vetëm një të dhjetën e mesatares evropiane.  Kjo do të thotë që për ta zënë hapin me rritjen në Evropë, ekonomia e Kosovës duhet të rritet 8 përqind në vit gjatë 30 viteve të ardhshme.  Kosovës i duhet rritje e sektorit privat për ta përmbushur atë qëllim dhe qeveria duhet ta marrë më seriozisht mbështetjen e sektorit privat”, u shpreh Kosnett.

Ambasadori ka përmendur edhe konfliktin e pazgjidhur me Serbinë si faktor që kontribuon në uljen e investimeve.

“Konflikti i pazgjidhur me Serbinë i kontribuon perceptimit në mesin e investitorëve të mundshëm për pasigurinë dhe paparashikueshmërisë në vend, që rezulton me shpenzime më të mëdha të transportit dhe logjistikës, pamundësi të organeve ekzekutive për të lëvizur lirshëm dhe vështirësi për të formuar aleanca ndërkufitare”, deklaroi ambasadori amerikan.

Kosnett ka përmendur shembuj nga Sllovenia dhe Kosova si faktorë që kanë ndikuar në zhvillim ekonomik.

“Do ti përmend dy shembuj, një nga Kosova dhe një nga rajoni.  Në vitin 1991, qeveria e Sllovenisë themeloi projektin kombëtar „Gazela” për të promovuar guximin, risinë dhe suksesin ndërkombëtar të ndërmarrjeve sllovene. Një ndërmarrje që arriti të përfitonte nga këto nisma dhe të shtrihej në tregje të reja ishte Mebor.  Ndërmarrja familjare për përpunimin e drurit, e themeluar në 1982-n, ia mësyu rritjes përmes zgjerimit të eksportit duke filluar me tregjet kroate dhe austriake.  Për të konkurruar në sferën ndërkombëtare, Mebor kishte nevojë të investonte në teknologji të re të prodhimtarisë, gjë që edhe bëri.  E rezultati ishte që gjatë pesë viteve pasuese, Mebor dyfishoi të hyrat nga shitja në pothuajse 12 milionë”, tha Kosnett.

Ambasadori tha se edhe në Kosovë ka shembuj të suksesit.

“Në Kosovë, distributori i ushqimit Meridian zhvillon talentin përmes partneritetit me disa universitete private dhe shkolla të mesme, të cilat i shfrytëzon për të zbuluar, tërhequr dhe punësuar punëtorë në pozita fillestare.  Përveç kësaj, Meridian merr pjesë në programin për mbështetje jashtë orarit mësimor, ASSET, që financohet nga USAID-i, përmes së cili nxënësit e shkollave të mesme kanë mundësi të përforvojnë dijen e tyre përmes përvojës së njëmendtë pune.  Meridiani gjithashtu investon edhe në edukimin e prijësve të ardhshëm në korporatën e vet duke përzgjedhur staf me potencial për karrierë dhe duke i dërguar ata në një program të certifikuar për menaxhim”, u shpreh diplomati amerikan.

Ai ka falenderuar Odën ekonomike amerikane dhe anëtarët e saj për krejt çfarë kanë bërë për të forcuar lidhjet mes Kosovës dhe SHBA-ve.

(Kosova Sot Online)