Policia në Prizren prangos tre persona për fletarreste ndërkombëtare

  • 01 August 2019 - 12:05
Policia në Prizren prangos tre persona për fletarreste ndërkombëtare

Sipas fletë arrestit të shtetit të Greqisë me urdhër të prokurorit, Prokuroria Themelore në Prizren ka ndaluar për 48 orë një (1) person, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Po ashtu, me urdhër të prokurorit kujdestar, të Departamentit të Krimeve të Rënda, sipas fletë arrestit të shtetit të Gjermanisë, është ndaluar një (1) person, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Grabitje”, përcjellë Indeksonline.

Po e njëjta prokurori, brenda 24 orëve ka paraqitur edhe një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit me një person të kërkuar përmes INTERPOL-it nga autoritetet e Austrisë.

“Departamenti për Krime të Rënda, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, për një (1) person, të kërkuar përmes INTERPOL-it, nga autoritetet e Austrisë, për shkak të veprës penale “Vjedhje e rëndë”, e kryer në Austri, e cila vepër penale është e sanksionuar edhe sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në raport.

Ndryshe ky institucion gjithashtu ka ngritur edhe gjashtëmbëdhjetë aktakuza, kundër njëzet personave për vepra të ndryshme penale.

(Kosova Sot Online)