Profesori i njohur zbulon mashtrimin e madh të Hashim Thaçit

  • 01 August 2019 - 14:03
Profesori i njohur zbulon mashtrimin e madh të Hashim Thaçit

“Është krijuar bindja se tani as ndërkombëtarëve dhe as vendorëve nuk iu shërbejnë këto zgjedhje të kota me njerëz të kotë, pa asnjë alternativë të re politike e qytetare, prandaj kur matet pulsi qytetar del vlerësimi se shumica qytetare nuk ka diskonim elektoral sepse nuk ka dhe nuk din për çka ka me votue”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Profesori universitar, Blerim Burjani, njohës me përvojë i proceseve elektorale,me një mandat e të plotë anëtarë i KQZ-së, është i mendimit se tani kur Hashim Thaçi flet hapur edhe për opsionin e një qeverie teknike, të miratuar nga spektri i gjerë politik në vend për të tejkaluar krizën institucionale me dorëheqjen e kryeministrit, ky zbulim nuk është aspak ide e Thaçit, por është një vlerësim që mund të jetë bërë nga faktori ndërkombëtar dhe propozuar kabinetit të Thaçit për të iu komunikuar subjekteve politike gjatë konsultave si zgjidhje transitore dhe përgatitje më serioze për zgjedhjet e rregullta në kushte më normale.

Image

“Ky propozim mundë ketë ardhur nga fakti se nuk ka kushte normale për zgjedhje, nuk ka madje as interesim dhe gatishmëri qytetare për të dalë në zgjedhje dhe për të votuar dikë nga kjo politike e shpenzuar dhe e deformuar, madje edhe e tej korruptuar. Një aspekt tjetër i mos gatishmërisë së faktorit ndërkombëtar për të mbështetur një proces të ri zgjedhor është edhe mungesa e reformës zgjedhore”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

 

Sipas Burjanit, është edhe zhgënjimi e madh qytetar në këtë klasë politike që rrezikon zgjedhjet e rregullta, prandaj zgjidhja transitore do të ishte qeveria teknike deri në reformimin dhe pastrimin e skenës politike për të rikthyer besimin qytetar me ide të reja dhe njerëz të rinj.

“Tash për tash nuk ka vullnet të përgjithshëm qytetar për tu marr me njerëz që u pasuruan brenda natës në politikë, që u bënë milionerë, kurse deri dje ishin skajshmërisht të varfër. Nëse me këtë klimë zhgënjimi qytetar mbahen zgjedhjet e reja nuk dihet se as kush do të dal të votoj në këto zgjedhje. Është e pritshme që dalja mundë të jetë vetëm ajo e anëtarësisë së ngushtë militante të partive ekzistuese politike por jo një dalje e lirë dhe e vullnetshme e qytetarëve në zgjedhje”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Nga një situatë e tillë, sipas Burjanit, fare lehtë vendi mundë të futet edhe në një krizë tjetër të pa menduar dhe të pa parashikuar prandaj janë edhe kalkulimet ndërkombëtare që të mos shkohet tani në zgjedhje.

“Është krijuar bindja se tani as ndërkombëtarëve dhe as vendorëve nuk iu shërbejnë këto zgjedhje të kota me njerëz të kotë, pa asnjë alternativë të re politike e qytetare, prandaj kur matet pulsi qytetar del vlerësimi se shumica qytetare nuk ka diskonim elektoral sepse nuk ka dhe nuk din për çka ka me votue”, shtoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

Prandaj në mesin e shumë të këqijave, sipas Burjanit, është koha që të dëgjohen këshillat e ndërkombëtarëve dhe të kalohet me një qeveri teknike, por jo kurrsesi për interesa të ngushta të klaneve politike.

“Më mirë do të duhej të ketë qeveri teknike se sa qeveri me parti njerëz të njëjtë të klaneve e të klientelave të ngushta politike. Të gjithë jemi dëshmitar për këta njerëz të njëjtë, në politike dhe në krye të institucioneve, për këto 20 vjet, dështuar plotësisht me mbrojtjen e interesin publik”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Burjanit, një qeveri teknike transitore po mendohet edhe nga ndërkombëtarët si zgjidhje optimale për të dekompozuar këto rrjete kriminale të instaluara në politikë dhe në institucione.

“Shumë më mirë do të ishte të ketë një qeveri kalimtare për një mandat katërvjeçar për të ndalë plotësisht degradimin e shtetit dhe të ekonomisë. Ndryshe për këto zgjedhje as që ka pasur nevojë për të parë një fotografi të njëjtë të keqpërdorimit të shtetit pa funksionim të rendit dhe ligjit”, përfundoi profesor Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)