Vjen kërkesa urgjente për PTK-në, të kërkohet dëmshpërblimi ndaj Z-Mobile

  • 01 August 2019 - 16:09
Vjen kërkesa urgjente për PTK-në, të kërkohet dëmshpërblimi ndaj Z-Mobile

“Dëmshpërblim i takon ti kompensohet Telekomit nga Z-Mobile por pikëpyetje e madhe është nëse do të mundë të realizohet derisa ata janë vetë shteti dhe kapësit e shtetit. Kjo situatë i ngjanë asaj që flasim e kërkojmë kompensim për krimet, për viktimat dhe dëmet e luftës nga ana e Serbisë e cila vazhdimisht është duke u tallur me neve, me vite të tëra të pas luftës”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Ragip Guraziu edhe pse e vlerëson si veprim të qëlluar dhe të guximshëm të Telekomit, për të mos i vazhduar edhe për një dekadë tjetër kontratën e shfrytëzimit të rrjetit të Telefonisë Mobile Vala nga ana e Dardafonit- Z-Mobile, madje duke e cilësuar të drejtë të bazuar kërkimin e dëmshpërblimit prej Z- Mobile, ai thotë se megjithatë tani Telekomi mundë të gjendet edhe para një sulmi tjetër ofensivë shkatërruese akoma më të ashpër nga ana e Blerim Devollit dhe Z-Mobile, sepse këtu mundë të jenë prekur edhe interesat e politikës së lidhur me krimin.

Image

 

“Akoma mundë të themi se çdo gjë që është në dorën e Devollëve. Ata për më shumë se 10 vjet kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shteti, ose më mirë të themi, ata janë kapja e shtetit të kapur. Disa parti politike të inkriminuar që kanë hise në pushtet dhe Devollët janë lidhur si miq besnik dhe ortak të fortë për shkatërrimin e shtetit të Kosovës por edhe të Telekomit të Kosovës dhe nuk do të dorëzohen me lehtësi”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, edhe pse Telekomi ka të drejtën e kërkimit të dëmshpërblimit nga Devollët, nga Z-Mobile, realizimi i atij dëmshpërblimi nuk është edhe aq i lehtë.

“Me të vërtetë Telekomi është në një situatë për të cilën të gjithë po pyesim se çfarë do të ndodhë pasi ia ka ndërprerë kontratën zhvatëse Devollit dhe si e kur do të kërkohet edhe dëmshpërblim nga Devollët për dëmet që ia ka shkaktuar Telekomit. Dëmshpërblim i takon ti kompensohet Telekomit nga Z-Mobile por pikëpyetje e madhe është nëse do të mundë të realizohet derisa ata janë vetë shteti dhe kapësit e shtetit. Kjo situatë i ngjanë asaj që flasim e kërkojmë kompensim për krimet, për viktimat dhe dëmet e luftës nga ana e Serbisë e cila vazhdimisht është duke u tallur me neve, me vite të tëra të pas luftës”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sa i takon rrezikut për ta dërguar edhe njëherë Telekomin në një arbitrazh të dytë, pas atij të parit, Guraziu thotë se ky rrezik është real, por vetëm nëse në qeverisje vjen struktura e njëjtë politike e dominuar nga PDK-ja, sikur ka qenë tani dhe në mandatin e kaluar.

“Nëse në pushtet vijnë mbështetësit e deritanishëm të zhvatjes së Telekomit nga Z-Mobile, është krejtësisht normale që të shkohet edhe në një Arbitrazh të ri, kur kemi parasysh se prapa Devollëve janë pushtetarët e deritanishëm që ju mundësuan të gjitha këto zhvatje të shtetit dhe të pasurive shtetërore. Pra Devollët dhe politika e inkriminuar dhe korruptuar janë në aleancë për shkatërrimin e Telekomit dhe për këtë edhe në të ardhmen punëtorët e këtij gjiganti ekonomik duhet të jetë shumë të kujdesshëm”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Guraziut, tani kur është marr vendimi për mos vazhdim të kontratës, do të duhej bërë me të shpejtë fatura e të gjitha dëmeve që i janë shkaktuar Telekomit nga Z-Mobile dhe të hapet procedura gjyqësore para gjykatave vendore sepse e drejta është në anën e Telekomit.

“Për të mos i dhënë shansin kundërsulmit nga Z-Mobile, Bordi dhe menaxhmenti i Telekomit së bashku me sindikatën e organizuar duhet të ndërmarrin veprimet urgjente kundër atyre që sollën Telekomin deri në këtë gjendje, duhet të hapen procedurat gjyqësore dhe ata që e meritojnë burgun menjëherë të marrin dënimin e merituar sepse e drejta dhe realiteti është në anën e palës së dëmtuar për 10 vite rresht, që është Telekomi i Kosovës”, përfundoi Guraziu për (Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)