Vjen thirrja serioze për Kosovën: Kështu duhet të mbrohet Telekomi nga kërcënimet e Devollëve

  • 03 August 2019 - 07:48
Vjen thirrja serioze për Kosovën: Kështu duhet të mbrohet Telekomi nga kërcënimet e Devollëve

“Për shpëtimin e Telekomit është vetëm një rrugë, unifikimi i gjitha forcave progresive në vend, filluar nga forcat politike, prokurorët dhe gjykatësit me integritet, shoqëria civile dhe gjithë qytetarët e vendit për nxjerrjen e kësaj kompanie nga kthetrat e oligarkëve dhe matrapazëve”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Florim Zeqa duke vlerësuar situatën e krijuar në Telekomin e Kosovës pas ndërprerjes së kontratës me Z-Mobile, dhe kërcënimit të Blerim Devollit për një arbitrazh të ri ndaj Telekomit, konsideron se tani duhet përgatitur mirë për tu ballafaquar me tendencën e fundit të zhvatjes dhe të shkatërrimit të ndërmarrjes publike nga Devolli dhe mbështetësit e tij, që janë edhe në radhët e politikës.

Image

“Pas vendimit të Bordit udhëheqës të Telekomit për ndërprerjen e kontratës zhvatëse me kompaninë Z-Mobile të Devollëve, Telekomi duhet të përgatitet për vazhdimin e hapave të tjerë ligjor. Pa dyshim se hapi i parë që duhet të merr Bordi drejtues është kërkimi i dëmshpërblimit nga Devollët për dëmin që i ka shkaktuar Telekomit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Poashtu, ai thotë se duhet marr seriozisht masa mbrojtëse edhe për të penguar realizimin e plaçkitjes nëpërmes të procedurës përmbarimore që ishte filluar para se të ndërpritet kontrata.

“Hapi i dytë i Bordit udhëheqës duhet të jetë përgatitja për shpëtimin e 30 milionëve të Telekomit në arbitrazhin e radhës sepse përballja me kompaninë më të fuqishme në vend do të jetë tepër sfiduese për Bordin udhëheqës të Telekomit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, pronarët e Z-Mobile kanë krijuar jo vetëm pasuri enorme për të blerë drejtësinë, por kanë edhe mbështetje të fuqishme politike, sidomos nga ata politikanë që nuk e kanë në prioritet shtetin dhe interesin publik por atë personal.

 

“Z-Miobile, përveç miliardave të grumbulluara, prapa ka edhe pushtetarët e tanishëm, të cilët me uljen e vlerës i trasuan rrugën e shkatërrimit Telekomit. Kështu pra, pushtetarët aktualë dhe paraprak u bën "mesitët" e Devollëve për rrënimin e kompanisë më profitabile në vend”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë, ai thotë se ekziston akoma hapësirë veprimi për mbrojtjen nga rrënimi i Telekomit, nëse forcat e shëndosha politike dhe drejtësia për shtetin veprojnë së bashku kundër krimit posa të krijohen institucionet e reja të shtetit pas zgjedhjeve.

“Për shpëtimin e Telekomit është vetëm një rrugë, unifikimi i gjitha forcave progresive në vend, filluar nga forcat politike, prokurorët dhe gjykatësit me integritet, shoqëria civile dhe gjithë qytetarët e vendit për nxjerrjen e kësaj kompanie nga kthetrat e oligarkëve dhe matrapazëve. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë një mundësi e mirë për këtë’, përfundoi Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)