Krimet e luftës, vjen goditja e rëndë për drejtësinë kosovare

  • 04 August 2019 - 08:17
Krimet e luftës, vjen goditja e rëndë për drejtësinë kosovare

“Është dështim dhe nënshtrim total i politikës së Kosovës ndaj armiqve tanë. Është dështim dhe idiotizëm mos kompensimi i dëmit dhe shpërblimi i dëmit moral për çka nuk mundë të arsyetohen qeveritë e kaluara dhe presidenti i tashëm që mbi një decenie e udhëheqë vendin”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Drejtësia kosovare po vazhdon të sfidohet seriozisht nga dështimi i adresimit të krimeve dhe dëmeve të luftës, edhe pse kanë kaluar dy dekada në liri dhe më shumë se një dekadë e plotë pas shpalljes së pavarësisë.

Sirtarët e drejtësisë kosovare, gjykatave dhe prokurorive, po vazhdojnë të mbushen me dosje të njëpasnjëshme që i dorëzojnë organizatat jo qeveritare dhe përfaqësuesit e familjeve të të zhdukurve e të masakruarve gjatë luftës, por asnjë lëvizje pozitive nga drejtësia, asnjë veprim të vetëm për ta quar drejtësinë në vendin e vetë.

Njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë, theksojnë se ky është kulmi turpit të këtij lidershipi politik që ka kapur sistemin e drejtësisë për këto 20 vite të pas luftës, dhe tani nuk ka asnjë të drejtë morale e politike që të del para qytetarit dhe të kërkojë votë për vazhdimin e qeverisjes në emër të shtetit e të qytetarit që akoma mbanë të freskëta tmerret e luftës, që pret zbardhjen e fatit të më të dashurve dhe kompensimin e dëmeve për pronat e shkatërruara.

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi thotë se rasti i fundit i dorëzimin të dosjeve dhe të 14 padive për krime lufte nga Zyra për mbledhjen dhe dokumentimin e krimeve të luftës në Gjakovë, është edhe një alarm serioz për drejtësinë dhe Prokurorinë Speciale të Kosovës, e cila me urdhër të politikës po i injoron këto krime.

“Dështimet e sistemit të drejtësisë janë të dukshme. Në fakt ka dështuar Kuvendi i Kosovës që nuk ka nxjerrë ligj mbi krimet dhe gjenocidin serbomadh, sikundër edhe për dëmet e luftës dhe dëmshpërblimet e shumta. Janë të gjitha këto të tëra vetëm dështime. Nuk ka fushë të këtij sistemit që nuk ka rrëshqitur në dobësi dhe që nuk veprohet me padrejtësi”, tha profesori i njohur Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Muhamet Kelmendit, padrejtësitë në Kosovë për mos trajtimin e krimeve të luftës e kanë zanafillën tek institucionet e para të pas luftës të instaluara nga ndërkombëtarët, e që ka vazhduar pastaj njësoj edhe me institucionet ne shtetit të pa varur të Kosovës pa asnjë ndryshim të qasjes.

“Kemi kështu një padrejtësi historike ndaj Kosovës dhe popullit shqiptar. Nuk ka rast në praktikën ndërkombëtare që të vriten 13.700 qytetar, në këtë rast shqiptarët, dhe askush mos të përgjigjet. Ky është një fashizëm i rëndë, vetëm le të merret mos përgjegjësia për përdhunimet në luftë të 20 mijë femrave shqiptare. Pra nuk ka fare arsyetim për mos kompensimin e dëmit material as për ato 150 mijë objekte të djegura dhe të shkatërruara, derisa dëmet morale shkoj në miliarda euro”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Kelmendi thotë se heshtja e tillë e drejtësisë para krimeve të tilla që ka përjetuar Kosova, ndodhë vetëm në sistemet diktatoriale dhe kriminale.

“Fatkeqësia e madhe është që organet e Kosovës heshtin dhe nuk kemi asnjë procedurë serioze kundër kriminelëve serb. Askush nuk është dënuar për përdhunimet makabre të femrave shqiptare. Nuk kemi kompensim dhe as shpërblim të dëmit. Ndryshe nuk ka se si me qenë më keq”, tha Profesori i së drejtës Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Gjykimi për këtë dështim, sipas Kelmendit i shkon pa dallim gjithë spektrit politik të Kosovës.

“Është dështim dhe nënshtrim total i politikës së Kosovës ndaj armiqve tanë. Është dështim dhe idiotizëm mos kompensimi i dëmit dhe shpërblimi i dëmit moral për çka nuk mundë të arsyetohen qeveritë e kaluara dhe presidenti i tashëm që mbi një decenie e udhëheqë vendin”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).