Sekretari i AAK’së: Sondazhet na nxjerrin 22 për qind, Haradinaj përkrahet nga 55 për qind e njerëzve

  • 04 August 2019 - 12:25
Sekretari i AAK’së: Sondazhet na nxjerrin 22 për qind, Haradinaj përkrahet nga 55 për qind e njerëzve

Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Besnik Tahiri, ka thënë se partia e Ramush Haradinaj është e para në sondazhet që janë bërë kohëve të fundit. Ka thënë se kanë dalë 22 për qind të përkrahjes popullore ndërsa Haraadinajn e përkrahin 55 për qind e tyre.

“Në bazë të sondazheve të fundit, të jashtme, të opinionit publik, sikur zgjedhjet të mbaheshin sot, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të fitonte mbi 22 përqind të votave. Kjo do ta nxirrte AAK-në, partinë numër 1 në vend, pra fituese të zgjedhjeve. Sipas sondazhit, kjo lidhet fortë me përkahjen që qytetarët i japin punës dhe politikave qeverisëse të Kryeminstrit Ramush Haradinajt, me përkrahje të mbi 55% të tij, dukshëm larg liderëve të partive tjera”, ka shkruar Tahiri.

Ky zyrtar i AAK’së s’ka treguar se cila kompani ka bërë këtë hulumtim dhe as sa respodent dhe as cilat kanë qenë pyetjet e bëra në terren.

Sidoqoftë, ai ka thënë se partitë tjera janë në rënie.

“Kur kësaj i shtohet fakti që projeksionet e sondazhit flasin për trend në rritje të Aleancës, atëherë presioni mbi ne si subjekt është pozitiv, pra që të bëjmë më shumë, ndërsa mbi disa parti tjera është presion negativ. Ato duhet të bëjnë çmos ta ndalin rënien, të mos dështojnë”, ka shtuar ai.

“Aleanca nuk i referohet sondazheve të jashtme, pa i ekzaminuar, validuar dhe krahasuar ato me sondazhet e brendshme të saj. Si Aleancë, kur shohim këtë mbështetje në rritje për ne dhe për Lidershipin e Ramush Haradinaj, ne ju garantojmë që nuk do të ndalemi në përpjekjet dhe kursin e qartë, në shtyrjen përpara të interesave të shtetit dhe të qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.

Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmri Limaj dhe Isa Mustafa kanë kërkuar të shkohet në zgjedhje dhe të shpërndahet Parlamenti. Kjo pritet të ndodhë javën e ardhshme kur edhe mblidhet Kryesia e  Kuvendit.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR. Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte. Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë.

(Kosova Sot Online)