Rugova ishte nacionalist i kultivuar

  • 04 August 2019 - 18:03
Rugova ishte nacionalist i kultivuar

Profesori i UP’së, Muhamet Hamiti, ka publikuar disa vlerësime të Sabri Hamiti që ka thënë për Ibrahim Rugovën, të cilin e ka quajtur nacionalist të kultivuar, shqiptar në kuptimin rilindës të fjalës, promovues i madh i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë. 

Ai ka publikuar edhe vlerësimet e Rugovës për Sabri Hamitin, i cili u largua të shtunën nga politika, duke i dhënë fund angazhimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Rugova e kishte quajtur Sabri Hamitin krijues të bukurisë së shqipes.

Postimi i plotë i Muhamet Hamiti:

Hamiti për Rugovën / Rugova për Hamitin

“Vepra e madhe dhe e ndërliqshme kritike e Ibrahim Rugovës e ka bërë autorin njërin ndër mendimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë për letërsinë.

Konteksti sociokulturor, thuhej më parë, por rrethanat nacionale, do të thuhej më vonë, e bënë apo e detyruan Ibrahim Rugovën që nga njeriu meditant të kalojë te njeriu militant. I pari i përket domenit të kritikës [letrare]. I dyti domenit të veprimtarisë nacionale.”

“Tashmë është fakt e histori që Ibrahim Rugova mbetet Presidenti historik i Kosovës dhe promovuesi i madh i lirisë, i pavarësisë e i demokracisë së Kosovës”.

“Rugova është një nacionalist i kultivuar. Pra, është shqiptar, në kuptimin rilindës të fjalës. Kjo del natyrshëm nga e kaluara e tij familjare e personale dhe nga formimi kulturor, letrar e historik. Premisat e këtij kualifikimi mund të lexohen në veprat e tij kulturore e kritike, ashtu edhe në veprimet e tij politike“.

Sabri Hamiti, “Memento për Rugovën”, botim i tretë, Fondacioni Ibrahim Rugova, Prishtinë, 2017, ff. 58-63.

“Në vitet e 90’-ta kur populli i Tij u organizua në vijën intelektuale, politike dhe shtetërore mbi bazë njerëzore e kombëtare, për t’i mbrojtur vlerat perëndimore e qytetëruese, Sabri Hamiti u gjend në mesin e Lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci të Kosovës. Shkrimtarët dhe ushtarët janë përgjithmonë më afër tokës dhe nuk lejojnë t’u rrëshqasë dheu nën këmbë, thotë një thënie e vjetër. Kjo ishte një rezistencë e fuqishmë kombëtare – ku Ai qëndroi burrërisht.”

“Sabri Hamiti është krijues i Zanit – Zërit – Ze-së shqiptare. Kjo ndihet në veprën e tij. Ai është krijues i bukurisë së shqipes, njërës nga gjuhët më të vejtra dhe njërës nga gjuhët çelës të gjuhëve të botës, siç thonë dijetarët.”

Ibrahim Rugova, 22 gusht 2002, me rastin e përurimit të veprës komplete të Sabri Hamitit në 10 vëllime.

(Kosova Sot Online)