Xhakarta në errësirë, miliona njerëz në probleme

  • 04 August 2019 - 19:08
Xhakarta në errësirë, miliona njerëz në probleme

Miliona njerëz kanë mbetur pa energji në Indonezi pasi një ndërprerje e energjisë ka goditur kryeqytetin Xhakarta dhe pjesë të tjera të ishullit Java.

Rryma u ndal rreth mesditës sipas kohës lokale dhe shkaktoi probleme të mëdha, transmeton BBC.

Rreth 10 milionë njerëz jetojnë në Xhakartë dhe 20 milionë të tjerë në qytetet përreth. Provincat fqinje, shtëpitë e dhjetëra miliona njerëzve, mbetën pa energji elektrike.

Në disa zona të Xhakartës, semaforët nuk funksionojnë, gjë që ka përkeqësuar ndjeshëm situatën në një qytet të njohur për bllokime të mëdha në trafik.

Ndërprerja e energjisë ka shkaktuar gjithashtu probleme në funksionimin e telefonave mobilë dhe ATM-ve.

Aeroporti ndërkombëtar i Xhakartës funksionon normalisht, ndërsa spitalet përdorin gjeneratorë.

Ndërprerja e energjisë ndodhi për shkak të një problemi të turbinave me gaz në termocentralin kryesor dhe një strukturë tjetër në ishullin Java.

(Kosova Sot Online)