Nga LDK’ja tregojnë se çfarë kanë biseduar në takimin me ambasadorin amerikan Kosnett

  • 05 August 2019 - 14:31
Nga LDK’ja tregojnë se çfarë kanë biseduar në takimin me ambasadorin amerikan Kosnett

Dy ditë pas rizgjedhjes së Isa Mustafës në krye të LDK’së, zyret e kësaj partie i ka vizituar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.

Në një njoftim të lëshuar nga zyra për media e LDK’së, thuhet që temë diskutimi e këtij takimi ka qenë procesi i brendshëm zgjedhor në LDK, zgjedhjet e parakohshme, tema e sundimit të ligjit dhe dialogu me Serbinë.

“Kryetari Mustafa e njoftoi Ambasadorin Kosnett për ecurinë e procesit zgjedhor të LDK-së dhe theksoi se Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të përgjithshme sa më parë. LDK-ja ka përgatitur programin qeverisës për qeverinë e re ku prioritet do të jenë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmbyllja e dialogut me Serbinë, përshpejtimi i proceseve integruese në strukturat euroatlantike, zhbllokimi i potencialit ekonomik përmes përkrahjes së sektorit privat, etj.”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga LDK’jë.

Ndëkohë Kosnett ka folur edhe për rikthim në dialogun me Serbinë dhe fuqizimin e sundimit të ligjit.

“Ambasadori Kosnett theksoi se është e rëndësishme që Kosova të ruajë fokusin e vet në fuqizimin e sundimit të ligjit, kthimit në tryezën e bisedimeve me Serbinë, për të arritur normalizim dhe për të krijuar mundësi të cilat lejojnë qytetarëve të Kosovës të kontribuojnë në prosperitetin e Kosovës”, vazhdon njoftimi.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Agim Veliu, Lutfi Haziri, Vjosa Osmani, Vlora Dumoshi dhe Besian Mustafa.

(Kosova Sot Online)