Prizren: Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

  • 05 August 2019 - 14:38
Prizren: Aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër N.K., në cilësinë e ish – Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, pranë Komunës së Prizrenit, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafi 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari N.K., në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, në Komunën e  Prizrenit,  duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij  zyrtare, duke keqpërdorë pasurinë publike me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për persona tjerë juridik TV Opinion, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj.


Kështu që, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e Thesarit, lidh kontratë për emitimin e spoteve reklamuese në sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje, për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, ashtu që me TV Opinion  vlera totale e kontratës arrinë shumën 7200 € (shtatë mijë e dyqind euro). Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri N.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cilat i vihet në barrë.

(Kosova Sot Online)