Basha: Rama gjobit biznesin e vogël për të mbushur xhepat e vëllait

  • 05 August 2019 - 19:01
Basha: Rama gjobit biznesin e vogël për të mbushur xhepat e vëllait

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi në Fushë Krujë se vendimet e qeverisë dhe të Parlamentit në këto 6 vjet janë kundër biznesit të vogël.

Në një takim me strukturat e PD në Fushë Krujë, kreu i opozitës përmendi monopolin e ri privat që po vendos me ligj qeveria për faturimin elektronik.

Basha: Hajduti psiqik i është vërsulur biznesit të vogël për t’i marrë edhe qindarkën e fundit me aferën e sistemit të ri të faturimit të biznesit, nëpërmjet të cilit do të nxjerrë jashtë përdorimit 140 mijë kasa fiskale dhe do të detyrojë biznesin e vogël t’i paguaje Olsi Ramës dhe këshilltarit kroat të Ramës 50 deri në 110 Euro për çdo biznes. Kjo zhvatje e re bëhet për të mbushur xhepat e familjes dhe miqve të Hajdutit Psiqik, ndërkohë që oligarkëve u fali dividentin, bregdetin, naftën, mineralet, lumenjtë dhe pyjet.

Për të përforcuar mesazhin se politika e Edi Ramës nuk është në shërbim të interesit publik, kreu i opozitës, renditi disa nga aktet e kësaj qeverie në shërbim të pakicës me të cilën grabit.

Basha: Janë këta që votuan për t’i kthyer dividentin oligarkëve, janë këta që votuan mega-vjedhjen Milot-Balldren 15 milionë euro për km, janë këta që votuan grabitjen e Teatrit Kombëtar për 6 kullat 200 milionë euro të treshes Rama-Veliaj-Mafia e Ndërtimit dhe Drogës.

(Kosova Sot Online)