Vjen denoncimi i rëndë për partitë politike në Kosovë

  • 06 August 2019 - 07:35
Vjen denoncimi i rëndë për partitë politike në Kosovë

“Ky funksionimi autoritar i partive politike, që padyshim ndikohet edhe nga nëntoka kriminale, oligarkët, dhe interesa të tjera që lidhen me individ, grupe edhe klane që kanë interesa të ngushtë, reflekton edhe në funksionimin e shtetit dhe orientimin shoqëror, që dëmton seriozisht të ardhmen si shoqëri demokratike, ku sundon rendi dhe ligji, një shoqëri normale me ambicie për zhvillim dhe integrime në strukturat euro-atlantike”, tha Haziri për “Kosova Sot Onlne”.

Faza e parë e këtij viti në vazhdim, pra 6 mujori që po mbetet pas, ishte vit zgjedhor në të gjitha partitë politike kosovare, me përjashtim në Vetëvendosjes që e kishte kryer këtë proces vitin e kaluar.

Image

Analisti politik, Nexhat Haziri konsideron se është një ngecje e madhe në demokratizimin e skenës politike të Kosovës, një element që po i përshkon në vazhdimësi proceset zgjedhore nëpër parti politike, ngase aty vetëm sa po deformohet dhe degradohet demokracia e re kosovare e cila mbi bazën e këtyre zhvillimeve negative akoma është në fazën e “adoleshencës”.

Sipas analistit politik, Nexhat Haziri, nocioni “Demokraci” është nocion shurdhues në veshët e liderëve partiak në Kosovë, sepse pikërisht atyre ju pengon dhe ata luftojnë për luftimin e zhvillimit dhe avancimit të kësaj fryme.

“Mënyra e funksionimit të partive politike, si pronë e kryetarëve dhe një grupi të ngushtë njerëzish, është barometër edhe I shkallës së zhvillimit të demokracisë në shoqërinë tonë, pasi nuk mund të ketë shoqëri e shtet demokratik me parti jo demokratike. Shmangja e demokracisë në funksionimin e partive politike po bëhet me qëllim të ruajtjes së interesave të liderëve dhe të një grupi të ngushtë njerëzish për rreth tyre”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Këtë konstatim ai e mbështetë edhe zgjedhjet e fundit që u zhvilluan nëpër parti politike, sidomos këto në LDK dhe në PDK.

“Procesi i brendshëm zgjedhor që u zhvillua në të gjitha partitë, brenda një periudhe gati një vjeçare, është pasqyrë e qartë se kur bëhet fjalë për aplikimin e demokracisë së brendshme, janë refuzuese dhe nuk dallojnë nga njëra-tjetra. Dhe nëse iu referohesh këtyre proceseve të zgjedhjeve të brendshme në partitë politike, qoftë në LDK, PDK, AAK, VV, atëherë një proces të tillë jodemokratik dhe me deformime të qëllimshme do të na përcjell edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat së shpejti do të mbahen”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se të tilla zgjedhje na kanë përcjell edhe në të kaluarën, si rezultat i këtyre partive të cilave si duket jo demokratizimi dhe paligjshmëria është forma jo vetëm e mbijetesës politike liderëve të caktuar, por edhe përfitimeve të tjera, qoftë përmes instalimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe fenomeneve të tjera negative që reflektojnë në qeverisjen e tyre.

“Dhe kjo është prezentë në të dy nivelet e pushtetit në Kosovë. Ky funksionimi autoritar i partive politike, që padyshim ndikohet edhe nga nëntoka kriminale, oligarkët, dhe interesa të tjera që lidhen me individ, grupe edhe klane që kanë interesa të ngushtë, reflekton edhe në funksionimin e shtetit dhe orientimin shoqëror, që dëmton seriozisht të ardhmen si shoqëri demokratike, ku sundon rendi dhe ligji, një shoqëri normale me ambicie për zhvillim dhe integrime në strukturat euro-atlantike”, tha analisti politik Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)