Profesori i njohur zbulon skenarët: Ja pazari i madh që do t’i heq vijat e kuqe mes LDK-së dhe PDK-së

  • 06 August 2019 - 07:38
Profesori i njohur zbulon skenarët: Ja pazari i madh që do t’i heq vijat e kuqe mes LDK-së dhe PDK-së

“Në fund duhet të marrim shembull nga dy legjislacionet e fundit. LDK shkoi te PDK dhe Isa u bë Kryeministër. Pse tash mos të ndodhi e njëjta, kur Isa ka mundësi të bëhet President e Hashimi Kryeministër. Gjithashtu u krijua PAN. Pra, partitë politike, përkundër deklaratave dhe vijave të kuqe që deklarojnë, ato nuk ekzistojnë. Vijë e kuqe, e bardhë e katërta apo ngjyrën tjetër është vetëm pozita e politikanëve për qëllimin e interesit qeverisës dhe kjo do të shihet qartë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, njohës i shumë i afërt i zhvillimeve politike në vend, para gjatë dhe pas luftës, konsideron se zgjedhjet e radhës në Republikën e Kosovës mund të prodhojnë befasi shumë interesante në matematikën e krijimit të koalicioneve të reja për qeverisjen e vendit.

Image

“Ngase në këtë fazë të hershme të përgatitjes për zgjedhje, përveç vijave të Kuqe që po vendosen aty këtu ndaj rivalëve politik, ka tendencë të rirreshtimit të skenës politike në tri blloqe kryesore|.

Sipas Kelmendit, edhe pse deklarativisht qëllimi është që këtë herë të izolohet dhe nxirret në opozitë PDK-ja, si parti që më së shumti ka qeverisur me vendin në periudhën prej dy dekada të pas luftës, dhe është kritikuar për degradim e kapje të shtetit.

“Do të jetë rezultati zgjedhor i fundit ai që do ta determinon fatin e PDK-së, por edhe të koalicioneve për qeverisje me vendin, për pozitën dhe për opozitën. Nuk besoj në “betimin” e disa partive politike, në këtë mes të LDK-së që thotë kurrë me PDK-në sepse ky zotim është thyer dy herë në të kaluarën. Sido qoftë ri rreshtimi në tri blloqe i skenës politike kosovare për koalicionet e zgjedhjeve në pritje tani është realitet AAK-ja po synon bllokun me NISMA-AKR dhe PSD-ne e Shpend Jahtit, kurse LDK-ja është në bisedime me VV-në. Kryetari i rizgjedhur i LDK-së Isa Mustafa në paraqitjen e parë para medieve pas rizgjedhjeve ka thënë: “S’bëjmë koalicion me PDK-në. Këtë pyetje as mos e bëni”.

Profesor Kelmendi thotë për “Kosova Sot Online”, se ky betim, jo vetëm nga LDK, por edhe nga të tjerët bëhet vetëm për poenët politikë për vota dhe mashtrim të elektoratit.

“Raportet midis partive politike, kundruall interesave dhe koalicioneve të mundshme, kuptohet për qeverisje, nuk duhet shikuar para zgjedhjeve si vendime të përfunduara. Është e qartë se partitë politike në pozitat aktuale, sikurse është LDK, PDK AAK, VV etj., nuk deklarojnë gjë tjetër, përveç asaj që dëgjojmë. Mirëpo, kjo nuk është përfundimi i fundit i tyre në raport me subjektet politike. Deklarata të tilla kuturi sikurse të Isa Mustafës ka pasur, ka dhe do të ketë përsëri. Natyrisht se këto bëhen me qëllim që subjekti të merr vota sa më shumë në zgjedhje”, tha profesor, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, letrat e lojës së vërtetë dhe luftës për pushtet, do të zhvillohet vetëm pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

“Kur partitë politike do i harrojnë vijat e kuqe dhe do të shkelin mbi të gjitha zotimet e parimet elektorale, vetëm e vetëm që të vijnë në pushtet. Në këtë rrafsh nuk përjashtohet që edhe në mandatin e radhës të rikthehet koalicioni i madh i interesit në mes të LDK-së dhe PDK-së, kurse partitë e vogla politike si NISMA dhe PSD, mundë të gjejnë ndonjë strehë nën sqetullën e AAK-së, e që së bashku me VV-në do të përbënin një opozitë të fuqishme. Tash kemi disa nisma për koalicione, e megjithatë ato nuk janë përfundimtare. Pas zgjedhjeve të gjitha shihen. Duhet thënë se nismat e tashme janë elemente qe tregojnë se kush nga po shkon. Por, këto nisma nuk janë koalicione përfundimtare. Jemi dëshmitar të lidhjeve për qeveri të PDK-së me LDK-në disa legjislacione, midis AKR-së, PDK-së dhe AAK-së etj. VV ende nuk ka qenë në pushtet. Kemi lidhje të kësaj partie në nivel lokal, por nuk është bazë mbi të cilën ndërtohet koalicioni në nivel qendror”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, derisa të gjitha partitë politike tradicionale të ditëve të para të pas luftës, LDK, PDK dhe AAK, por edhe VV-ja, mundë të konkurrojnë të vetme në zgjedhje dhe koalicionet t’i lënë pas rezultatit zgjedhor, këtë rrezik nuk do të guxojnë ta presin PSD-ja e shpend Ahmetit dhe NISMA ngase e kanë të garantuar rezultatin i cli ju pamundëson edhe kalimin e pragut.

“Andaj do të detyrohen të bashkohen me këdo që i merr në koalicion parazgjedhor. Skenës iu kanë shtuar edhe dy parti si PSD e NISMA, të cilat vetëm me koalicione parazgjedhore mundë të jetojnë si subjekte, përndryshe asnjëra nuk e kalon vetëm për vetëm pragun zgjedhor”, tha Kelmendi për Kosova Sot Online”.

Finalja e lojës pas zgjedhore, sipas Kelmendit mund të përsëritet edhe njëherë me koalicionin LDK-PDK, duke ndërruar pozitat mes Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

“Në fund duhet të marrim shembull nga dy legjislacionet e fundit. LDK shkoi te PDK dhe Isa u bë Kryeministër. Pse tash mos të ndodhi e njëjta, kur Isa ka mundësi të bëhet President e Hashimi Kryeministër. Gjithashtu u krijua PAN. Pra, partitë politike, përkundër deklaratave dhe vijave të kuqe që deklarojnë, ato nuk ekzistojnë. Vijë e kuqe, e bardhë e katërta apo ngjyrën tjetër është vetëm pozita e politikanëve për qëllimin e interesit qeverisës dhe kjo do të shihet qartë”, përfundoi njohësi i zhvillimeve politike në vend, profesori Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )