Daçiq: Nëse hiqet taksa, Bolton mund të vizitojë rajonin në fund të gushtit

  • 06 August 2019 - 10:50
Daçiq: Nëse hiqet taksa, Bolton mund të vizitojë rajonin në fund të gushtit

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në një intervistë për ‘Tv Happy’, ka thënë se Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Bolton, mund të vizitojë Ballkanin Perëndimor në fund të muajit gusht.

Megjithatë kreu i diplomacisë serbe thotë se një vizitë e tillë varet nga ajo se a do të ketë ndonjë lëvizje pozitive në zhvillimet në rajon dhe nëse veçanërisht Prishtina merr vendim për ta hequr taksën.

Daçiq thotë se është i lumtur që tashmë për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi po merren zyrtarët më të lartë të administratës shtetërore të SHBA-së, shkruan Danas.

Siç thotë ai përgjatë administratave të kaluara për çështjen e Kosovës ishin angazhuar vetëm zyrtarë të nivelit të tretë apo të katërt të administratës shtetërore, ndërsa tashmë vëmendja është zhvendosur në nivelet më të larta.

Ndër të tjera Daçiq thotë se gjatë vizitës së fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur rastin që të takohet me John Bolton, me të cilin thotë se ka biseduar edhe për çështjen e Kosovës.

Por bazuar në situatën aktuale politike në Kosovë, ku shteti është duke u qeverisur nga një qeveri në dorëheqje në krye me Ramush Haradinajn, heqja e taksës deri në formimin e një qeveri të re është e pamundur.

(Kosova Sot Online)