Pas Ramushit, edhe Daut Haradinaj reagon ndaj gjeneralit serb

  • 06 August 2019 - 15:12
Pas Ramushit, edhe Daut Haradinaj reagon ndaj gjeneralit serb

Ndaj deklaratave të gjeneralit serb Milan Mojsiloviq, se Serbia e ka përkrahjen e ushtarakëve rusë për çështjen e Kosovës, pas kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, ka reaguar edhe vëllai i tij, Dauti, i cili gjatë luftës ishte komandant i UÇK-së.

Haradinaj i është përgjigjur shkurt Mojsiloviqit se “gjeneralët e demokracisë ruso-serbe” do t’i gjejnë këtu sa herë që ata duan.

Mojsiloviq pas një udhëtimi në Moskë kishte thënë se Serbia e ka përkrahjen nga zyrtarët e lartë ushtarakë rusë për mënyrën se si të veprojnë lidhur me çështjen e Kosovës.

“Natyrisht se jemi të interesuar për sigurinë e serbëve jo vetëm në veri të Kosovës, por në gjithë vendin”, ka deklaruar gjenerali Mojsiloviq.

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, gjithashtu është përfshirë në diskutim duke i thënë Mojsiloviqit se edhe Sllobodan Millosheviqi kishte menduar njësoj, por i kishte dalë keq.

“Ata duhet t’i ndalin këto provokime”, ka shkruar Haradinaj. 

(Kosova Sot Online)