Pas Prizrenit, Vjosa Osmani del në terren në Vushtrri

  • 06 August 2019 - 15:24
Pas Prizrenit, Vjosa Osmani del në terren në Vushtrri

Tash kur zgjedhjet e brendshme në LDK kanë marrë fund, e ato të jashtëzakonshmet janë afër, në terren veçse kanë nisur fushatat nga partitë e ndryshme politike. Deputetja më e votuar e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani mbrëmë u takua më qytetarë të Prizrenit derisa sot ka zgjedhur që të vizitojë Vushtrrinë. Osmani po përmendet edhe si kandidate e LDK-së për kryeministre.

Deputetja më e votuar e LDK-së, Vjosa Osmani bëri të ditur mbrëmë se është takuar me mërgimtarë të Komunës së Prizrenit, derisa së bashku me të ishte kreu i kësaj partie në këtë komunë Anton Quni.

Por, si duket turneu nëpër Kosovë i Osmanit nuk do të ndalet me kaq. Emri që po përmendet nga LDK si kandidate për kryeministre sot gjatë ditës ka vazhduar vizitën në Komunën e Vushtrrisë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, deputetja ka shkruar se kanë pasur një aktivitet poashtu edhe në këtë komunë më mërgatën, derisa mori pjesë edhe në përurimin e parkut “Diaspora”.

“Sot në Vushtrri, u përurua Parku ‘Diaspora’, me organizim të komunës dhe kontribut të mërgimtarëve tanë në Suedi, përmes organizatës ‘Sveriges Albanska Brudar’. Kënaqësi të takojë familjarët e kolonel Ahmet Krasniqi, e në veçanti Artën e cila bashkë me shumë gra shqiptare në Suedi po përkrahin projekte të ndryshme në Kosovë. Faleminderit kryetarit të komunës Xhafer Tahiri dhe bashkëpunëtorëve të tij për ftesën dhe mikëpritjen”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Deputetja e LDK-së, e cila fillimisht u përfol se do ta merr udhëheqjen në parti, po thuhet se do të merr së shpejti besimin e Isa Mustafës si kandidate për kryeministre në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

(Kosova Sot Online)