Vdes Toni Morrison, shkrimtarja afro-amerikane që fitoi Nobelin

  • 06 August 2019 - 16:38
Vdes Toni Morrison, shkrimtarja afro-amerikane që fitoi Nobelin

Toni Morrison, Nobelistja e vitit 1993 në letërsi, vepra e së cilës hulumtoi identitetin e afro-amerikanëve në Amerikë, në veçanti eksperiencën e grave me ngjyrë, ka vdekur të hënën në qendrën mjekësore, në Montefiore të New Yorkut, njoftoi botuesi i saj Alfred Knopf.

Ajo ishte 88- vjeçare.

Morrison ishte gruaja e parë afro-amerikane që fitoi Çmimin Nobel në Letërsi. Ajo ishte autore e 11 romaneve, librave për fëmijë dhe koleksioneve të eseve.

Në mesin e tyre përmenden veprat si “Song of Solomon”, me të cilën fitoi Çmimin National Book Critics Circle Aëard në vitin 1977, dhe “Beloved” me të cilën fitoi Çmimin Pulitzer në vitin 1988.

Morrison ishte një nga autorët e rrallë amerikanë librat e së cilës ishin të suksesshme në tregun komercial dhe atë kritik. Romanet e saj u listuan rregullisht në gazetën Neë York Times, në shtojcën  e librave më të shitur dhe ishin shfaqur shumë herë në klubin e librave të Oprah Ëinfrey dhe ishin subjekt i studimeve kritike. Ajo ishte një anëtare e fakultetit Princeton për një kohë të gjatë dhe ligjëratat e saj ishin shfaqur shpesh edhe në televizion.

Kur iu nda Çmimi Nobel Morrisonit, Akademia suedeze dha këtë arsyetim: “romanet karakterizohen nga një forcë vizionare dhe  prurje poetike”, përmes së cilës ajo “i jep jetë një aspekti bazik të realitetit amerikan”.

Morrison gjallëroi atë realitet në një stil që nuk i përngjan asnjë poeti tjetër që shkruan në gjuhën angleze. Proza e saj, shpesh e shndritshme dhe e çuditshme, gërshetohet me kadencat e traditës së gojëdhënave të afro-amerikanëve. Intrigat e saj janë ëndërruese dhe jo lineare, duke folur për të kaluarën dhe të ardhmen sikur personazhet të sjellin të gjithë peshën e historisë mbi të gjitha veprimet e tyre.

(Kosova Sot Online)