Jep dorëheqje drejtori i Postës, këto janë arsyet sipas tij

  • 07 August 2019 - 10:47
Jep dorëheqje drejtori i Postës, këto janë arsyet sipas tij

Drejtori Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, i cili në muajin maj është zgjedhur kryetar i PDK’së në Drenas, ka thënë dorëheqje nga pozita e tij në Postë. Hoxha po thotë se këtë po e bën për arsye të angazhimit të tij politik, por nuk po e përmend çështjen e konfliktit të interesit në mbajtjen e pozitës së tij në ndërmarrje publike derisa ka post politik.

Që prej zgjedhjes së tij në krye të bastionit të PDK’së në Skenderaj, mbajtja e dy pozitave nga ana e tij ka qenë temë diskutimi. Sejdi Hoxha pati thënë se është këshilluar me zyrën ligjore të Postës së Kosovës, dhe të njëjtit i kanë thënë se nuk paraqet konflikt interesi mbajtja e dy pozitave nga ana e tij.

Sejdi Hoxha sot ka vendosur të japë dorëheqje nga pozita e tij në Postën e Kosovës. Në njoftimin e tij për dorëheqje ai ka thënë se arsye për dorëheqjen e tij janë angazhimet politike dhe akademike.

“Dua të jem shembull i mirë dhe nuk dua që në asnjë moment dhe rrethanë dikush te mendoi që unë mbaj pozicionin tim publik për të përfituar politikisht. Jam krenar me atë qe kam bërë gjate ushtrimit të detyrave të mia në të gjitha pozitat institucionale që kam qenë deri më tani. Prandaj, meqenëse  zgjedhjet janë afër, unë do të angazhohem maksimalisht në fuqizimin e subjektit tim politik”, ka shkruar Hoxha.

Agjencioni Kundër Korrupsion kishte filluar hetimet për të qartësuar nëse mbajtja e dy pozitave nga ana e Hoxhës paraqet konflikt interesi. Pas dy muajsh, AKK’ja kishte dalë me qëndrimin se nuk ka konflikt interesi nëse Hoxha e mban pozitën e tij si Drejtor Ekzekutiv i Postës dhe njëkohësisht është kryetar i Drenasit. Megjithatë kishin kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ta qartësojë këtë çështje.

Por, pas vendimit të AKK’së, kishin reaguar Grupi për Studime Juridike dhe Politike, GAP’i, Instituti për Politika Zhvillimore dhe Balkan Green Foundation.

Këto organizata kishin thënë se mbajtja e dy pozitave nga Hoxha përbënte shkelje të Ligjit.

“Opinioni i AKK-së i drejtohet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ani pse, siç është praktikë e akteve administrative, nuk sqaron fare se kush ka kërkuar këtë vlerësim. Në dokument vetëm thuhet se AKK “mbi bazën e kërkesave të shumta të pranuara nga subjekte të ndryshme”…ka bërë pra këtë vlerësim. Ne konsiderojmë që shkelja themeltare me rastin e zgjedhjes së Z. Sejdi Hoxha si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dega në Drenas ka të bëjë me Ligjin Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike”, thuhej në reagimin e këtyre organizatave.

Ndërkaq Ligji për Ndërmarrjet Publike përcakton qartësisht se një person nuk ka të drejtë të mbajë një pozitë politike e në të njëjtën kohë të ketë pozicion udhëheqës edhe në ndërmarrje publike.

“Një person ka të drejtë të shërbejë si drejtor vetëm nëse…është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në pikën K të Nenit 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

(Kosova Sot Online)