Hetimi për PTK-në dhe Vala-n i pamjaftueshëm, deputetët i lënë përgjegjësinë legjislaturës tjetër

  • 07 August 2019 - 12:48
Hetimi për PTK-në dhe Vala-n i pamjaftueshëm, deputetët i lënë përgjegjësinë legjislaturës tjetër

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka diskutuar rreth vazhdimit të punës pas rrethanave të reja të krijuara lidhur me shpërndarjen e Kuvendit.

Të gjithë anëtarët e komisionit u dakorduan që puna e deritanishme e komisionit duhet të shkruhet në një raport për t’i treguar legjislaturës së ardhshme punën dhe kjo do të ua lehtësoj vazhdimin e këtij hetimi.

Kryesuesi i Komisionit, Visar Ymeri, tha se komisioni duhet të marr një vendim në lidhje me atë se çfarë ka punuar deri tani ky komision.

“Njëra nga mundësitë është që të përpilohet një raport dhe para shpërndarjes së Kuvendit të votohet dhe tjetra mundësi është ta lëmë siç është dhe t’i japim mundësi legjislaturës së ardhshme të vazhdojnë”, tha Ymeri.

Sipas tij, do ishte mirë që hetimi për Telekomin duhet të vazhdoj me legjislaturën e ardhshme.

“Afati 6 mujor është pak për të nxjerrë një përfundim dhe do ishte mirë që për t’u trajtuar mirë ajo çfarë ka ndodh me Telekomin do ishte mirë të jetë edhe një komision tjetër që ta vazhdoj punën”, shtoi Ymeri.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se duhet të bëhet një draft-raport për të dëshmuar punën e deri tashme dhe më pas legjislatura e ardhshme të vazhdojë hetimin sepse periudha prej 6 muajsh ka qenë e pamundur për të përfunduar hetimin.

“Koha prej 6 muaj për një hetim kaq të madh do ishte e pamundur, deri tani janë intervistuar vetëm 30% prej të dyshuarve, për të përmbyllur punën tonë do duhej të përpilohej një draft raport i nënshkruar nga anëtarët e komisionit që legjislaturës së ardhshme më ia lënë një punë nga komisioni ynë”, tha Haxhiu.


Deputeti i VV-së Liburn Aliu, tha se komisioni deri tani nuk ka konkluzione të sakta, por vetëm përshkrime dhe sipas tij duhet bërë një raport për të informuar komisionin e ardhshëm.

“Puna nuk ka përfunduar dhe nuk do duhej të kemi një raport që votohet në Kuvend sepse bëhet pengesë për hetimin e mëtutjeshme, unë propozoj ta bëjmë një raport për aq sa kemi punu dhe kushdo që vje i ka procesverbalet që ta dinë saktë se kë e kemi intervistuar dhe çfarë ka ndodhur, ne deri tani nuk kemi konkluzione por vetëm përshkrim të punës”, tha Aliu.

Ndërsa, deputeti Milaim Zeka, tha se pos që duhet vazhduar hetimi ndaj Telekomit, ai në një të ardhme pret të hetohen edhe institucionet tjera publike në Kosovë si RTK-ja, KEK-u, etj.

Ai tha se vetëm për një dite të vetme, ish-kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa, kishte realizuar 32 udhëtime zyrtare në shtete të ndryshme të botës, duke i shpenzuar buxhetit rreth 13 milionë euro vetëm për bileta.

Deputeti i AAK-së, Shkëmbim Demalija, tha se në fillim të punës se komisionit kishte qenë skeptik për rezultatet që mund të nxjerrjen sepse do të kishte ndërhyrje politike, por tani është mirënjohës për punën e bërë deri më tani.

“Kam qenë skeptik në fillim për punën e komisionit, por puna i ka kaluar parashikimet e mia dhe jam mirënjohës për punën që kemi bërë”, tha ai.

Ymeri tha se komisioni duhet të bëj një raport dhe në mbledhjen tjetër të votohet nga anëtarët e komisionit.

“Mendoj se nëse na premton koha do ishte mirë ta bënim një raport të mbledhjes së punës tonë dhe të çështjeve që i kemi konstatuar përtej dyshimit të bazuar, zbatimi i Z-Mobile i ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme financiare Telekomit, ka edhe çështje tjera, puna e komisionit ka qenë ndikim që menaxhmenti i Telekomit ta mendojnë punën për vazhdimin e kontratës me Z-Mobile”, tha Ymeri.

“Po e bëjmë një raport që e përmbledh dhe një ditë para seancës së shpërndarjes së Kuvendit ta miratojmë raportin”, shtoi ai.

Image

 

(Kosova Sot Online)