“E mbaja për qejf”, çudit shkodrani pasi u kap me armë në Durrës

  • 07 August 2019 - 17:07
“E mbaja për qejf”, çudit shkodrani pasi u kap me armë në Durrës

Lëvizte me armë me silenciator në plazh, kapet shkodrani te Shkëmbi i Kavajës.

Policia bën me dije i arrestuari është shtetasi S.Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër.

Mësohet se 19- vjeçari është kapur nga Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh dhe Komisariatit të Policisë Durrës, në afërsi të Shkëmbit të Kavajës.

Burime nga Policia thanë për “Panorama” se, S.Xh. është ndaluar nga efektivët që ndodheshin me shërbim, pasi u kishte rënë në sy se 19-vjeçari diçka fshihte.

Gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një pistoletë me silenciator dhe një krehër me 5 fishekë.

“Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje. Arrestohet në flagrancë 19–vjeçari që qarkullonte më pistoletë me silenciator. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë si dhe në zbatim të planit të masave për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, nga Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, është arrestuar në flagrancë shtetasi S. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas është kapur nga Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh dhe Komisariatit të Policisë Durrës, në afërsi të Shkëmbit të Kavajës dhe gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një pistoletë me silenciator dhe një krehër me 5 fishekë”, sqaroi Policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Nga ana tjetër, grupi hetimor vijon punën për të mësuar më tepër rreth personalitetit të 19-vjeçarit shkodran, ndërsa hetuesit kanë kërkuar ndihmën e kolegëve të tyre në Shkodër, të cilëve u kanë kërkuar informacione rreth aktiviteteve të shtetasit S.SH..

Burime thanë për gazetën se 19-vjeçari është personazh i panjohur për Policinë në Shkodër, por fakti që lëvizte me armë zjarri me silenciator ka bërë që hetuesit të verifikojnë çdo indicie në lidhje me të.

“Nuk rezulton i skeduar. Por fakti që u kap me pistoletë me silenciator na shton dyshimet se kemi të bëjmë me një personazh të rrezikshëm. Mund të mbante pistoletë, por silenciatorin përse?! Silenciatorin e përdorin vetëm vrasësit me pagesë. Ky fakt na bën të mendojmë se nuk kemi të bëjmë thjesht me një person që u arrestua me armëmbajtje pa leje. Ndaj, ne do verifikojmë çdo detaj për këtë djalë, pasi dyshojmë se mund të jetë ndonjë eksponent shumë i rrezikshëm, ose ndonjë vrasës”, thanë burime nga grupi i hetimit.

Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje të të arrestuarit, ai ka deklaruar para oficerëve të Policisë se armën e kishte për t’u vetëmbrojtur. “E mbaja për qejf, për t’u vetëmbrojtur”, ka thënë 19- vjeçari, duke refuzuar të tregojë se ku e ka blerë pistoletën.

Pavarësisht kësaj alibie, hetuesit po hetojnë ende për të zbuluar jo vetëm praninë e armës, por dhe praninë e të riut në zonën e Durrësit. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës në ngarkim të shtetasit të mësipërm, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

(Kosova Sot Online)