Vrasësja me pagesë më seksi në botë!

  • 07 August 2019 - 18:28
Vrasësja me pagesë më seksi në botë!

Villanelle, 20 e diçka vjeçe, rusja tipike bionde. Në kohën e lirë josh djem dhe vajza, pi shampanjë dhe blen rroba të shtrenjta. Në punë, oh në punë thjesht vret njerëz në shkëmbim të pagesës. Titulli s’ka nevojë për shumë shpjegim, të gjithë kemi sy në ballë. Vetëm se duhet shtuar “e trilluar”.

Villanelle (Jodie Comer) është vrasësja seriale rreth të cilës rrotullohet seriali “Killing Eve”. Ajo është mizore, efektive dhe çnjerëzore. Udhëton kudo në botë, me urdhër të eprorit të saj, për të vrarë shënjestrat – zakonisht njerëz me rëndësi – me elegancë të pashoqe dhe kthehet në shtëpinë e saj në Paris, për të jetuar e qetë. Villanelle është joshëse, qesharake si fëmijë, psikopatike e sërish e pëlqyeshme.

Meqë po flisnim për pëlqim, njihuni me Eve Polastri (Sandra Oh), punonjëse e MI5 në Londër që i dedikon jetën kapjes së Villanelle. Të dyja luajnë si macja me miun në gjithë Europën, por pa sukses. E vetmja gjë që realizohet me sukses është një lidhje romantike, e pashprehur, e injoruar, mes Eve dhe Villanelle.

Ç’bie në sy që në episodin e parë, është kthimi mbrapsh i roleve gjinore, sidomos në kinematografi. Eve Polastri është një grua në karrierë, ndërsa burri i saj luan rolin e bashkëshortit të shqetësuar në shtëpi. Nëse s’e kuptuat deri tani, Villanelle është biseksuale. A s’është goditje e ulët të bësh të keqin e historisë biseksual? A s’përforcon kjo mesazhin se anëtarët e komunitetit LGTBQ janë të këqinj? Surprizë! Një pjesë e mirë e personazheve janë biseksualë, për të mos thënë të gjithë. Ky serial nuk rekomandohet për homofobët, ose rekomandohet forcërisht, si të doni.

BBC America, producentët pas “Killing Eve”, u përpoqën të xhironin në vendndodhjet aktuale të ngjarjeve. Nëse skenari shkruante Toskanë, të gjithë niseshin për Toskanë. “Killing Eve” u xhirua në Paris, Toskanë, Berlin, Rumani dhe në qytete të ndryshme në Angli. Si rrjedhim, çdo episod është ndryshe, mbresëlënës në një tjetër mënyrë, përveç dialogut fantastik nga Phoebe Waller-Bridge.

Protagonistja jonë, Eve, vjen nën interpretimin fantastik të Sandra Oh. Si fytyrë e parë? Sandra Oh është e njohur për rolin ikonik të Dr. Christina Yang në “Grey’s Anatomy”. Edhe pse ka në njëfarë mënyre mbi supe barrën e personazhit që ka luajtur për dymbëdhjetë vite, në “Killing Eve” shkëlqen. Oh e mori Eve Polastrin dhe e bëri të vetën.

 “Killing Eve” është mënyra më e mirë për të shpenzuar shtatë orë të lira. Villanelle do t’ju thyejë zemrën, do t’ju dërrmojë emocionalisht si asgjë tjetër, e ju sërish do ta doni.

(Kosova Sot Online)