Tahirsylaj: Nuk ka nevojë për panik edhe pse temperatura mund të shkojë deri në 37 gradë

  • 07 August 2019 - 19:47
Tahirsylaj: Nuk ka nevojë për panik edhe pse temperatura mund të shkojë deri në 37 gradë

Temperaturat në vendin tonë kanë shënuar rritje ditët e fundit, por sipas profesorit Sylë Tahirsylaj, kjo gjendje është krejtësisht normale. Eksperti i meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, ka treguar se pse po mbretëron aktualisht kjo klimë, temperaturat maksimale të shënuara ndonjëherë në Kosovë, mundësinë e rritjes së temperaturave dhe a duhet të shpallet gjendje alarmantë nga Qeveria e Kosovës.

“Vendi ynë do të vazhdojë të jetë në ndikimin e masave ajrore të nxehta që kanë ardhur nga pjesa jugperëndimore e rajonit, pra Afrika e Veriut. Gjatë ditës së sotme dhe ditën e nesërme, temperatura maksimale mund të shkojë deri në 37 gradë celsius, varësisht nga pozita gjeografike e vendit tonë”, ka thënë Tahirsylaj.

Tahirsylaj ka bërë të ditur vitin se kur temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë.

“Sipas të dhënave tona nga viti 1922, temperatura më e lartë e shënuar ndonjëherë është 39 gradë celcius në Prizren në vitin 1965 me matje profesionale nën hije. Pra me matje profesionale asnjëherë nuk është regjistruar një temperaturë më e lartë se kjo. Ndërsa në vendin tonë shumë shpejt temperaturat do të bien dhe nuk do të shkojnë deri në 39 gradë celsius. Nuk kanë nevojë që qytetarët e Kosovës të shqetësohen sepse kjo është një gjendje kalimtare”, ka thënë Tahirylaj.

Megjithatë, ka raste kur në disa pjesë edhe mund të shënohet temperatura 39 apo 40 gradë celsius.

“Në qytete, çati të shtëpive dhe hekurishte të ndryshme temperaturat mund të shkojnë deri në 39 apo 40 gradë celsius, por ato nuk merren si temperatura të vendit”, ka sqaruar Tahirsylaj.

Tahirsylaj ka sqaruar gjithashtu se çka duhet të bëjë Qeveria nëse temperatura shkon në 39 gradë celsius dhe dobitë e temperaturave aktuale.

“Nëse vjen temperatura 39 gradë celsius, është detyrë e Institutit Hidrometeorologjik ta informojë Qeverinë e Kosovës, dhe Qeveria shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, por kjo nuk është e nevojshme aktualisht sepse klima është normale dhe e dobishme për terrenet malore”, ka përfunduar Tahirsylaj.


(Kosova Sot Online)