Shoqëria civile reagon ndaj vendimit të Dhurata Hoxhës për hapje të konkursit të jashtëligjshëm në Ministri

  • 08 August 2019 - 14:30
Shoqëria civile reagon ndaj vendimit të Dhurata Hoxhës për hapje të konkursit të jashtëligjshëm në Ministri

Instituti Epik, së bashku me disa organizata joqeveritare dhe institute, kanë reaguar për vendimin e ministres në dorëheqje, Dhurata Hoxha, e cila ka shpallur një konkurs në kundërshtim me një marrëveshje të lidhur me Bashkimin Europian.

BE çdo vit dhuron bursa për student të nivelit Master që u mundëson studentëve nga Kosova të stuidojnë në universitete europiane. Pas përfundimit të studimeve, atyre u premtohet një vend i punës në institucione. Kjo e gjitha është pjesë e programit Young Cell Scheme, që është ndër projektet më të rëndësishme të BE’së në Kosovë.

Mirëpo, Dhurata Hoxha ka vendosur që të shpallë një konkurs në Ministrinë e Integrimeve e cila është në kundërshtim me marrëveshjen. Ishte paraparë që vendet e punës të jenë të rezervuara për student të përgatitur që do të kthehen nga studimet, por Hoxha ka vendosur të hapë një konkurs të hapur të cilin organizatat po e cilësojnë si hapje të rrugës për punësime partiake.

Instituti Epik vlerëson se hapja e konkurseve të tilla rrezikon të ardhmen e të rinjëve nga Kosova.

“Përderisa BE-ja mbulon të gjitha shpenzimet e bursistëve, është obligim i institucioneve të Kosovës të sigurojnë punësimin e tyre në administratën publike. Në këtë formë, bursa kontribuon në ndërtimin e një administrate të pavarur, me integritet dhe profesionale”, thuhet në reagim ndaj ministers në largim.

“Në këtë drejtim, ne – organizatat e shoqërisë civile – shprehim shqetësimin e thellë ndaj tentativës së Ministres në dorëheqje të integrimit Evropian, znj. Dhurata Hoxha, për të politizuar institucionin e MIE-së duke refuzuar punësimin e bursistëve të shkolluar në universitetet prestigjioze Evropiane, dhe në vend të saj të bëjë punësime publike mbi baza partiake.”

Organizatat ftojnë kryeministrin Ramush Haradinaj që të ndërhyjë në kthimin e ligjshmërisë brenda Ministrisë së Integrimit Europian.

(Kosova Sot Online)