24 orëshi fatal, rryma ua mori jetën dy personave në Kosovë

  • 08 August 2019 - 17:53
24 orëshi fatal, rryma ua mori jetën dy personave në Kosovë

Goditja nga rryma ua mori jetën dy personave brenda dy ditësh në Kosovë. Një person nga Suhareka vdiq në vendin ku u godit nga rryma, ndërkaq tjetri nga Peja u dërgua në spital, por as ai nuk mundi t’u bënte ballë plagëve të marra nga goditja e rrymës.

Pasditen e së mërkurës, policia në Suharekë është njoftuar se një person është goditur nga rryma. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes i kishin thënë policisë se viktima kishte mbetur i vdekur në vend nga goditja e rrymës.

“Raportohet se është sjellë pa shenja jete viktima mashkull K-Shqiptar. Sipas dëshmitarëve viktima ishte goditur nga rryma.  Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë përkatëse policore, njësiti i KEDS dhe inspektori i punës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet për obduksion në IML. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Ndërkaq goditja e rrymës doli të jetë fatale edhe për një 32-vjeçar nga fshati Raushiq i Pejës. Sh.Sh. ka pësuar lëndime trupore nga goditja e rrymës, e në ndihmë u munduan t’i dalin qytetarët të cilët e dërguan në Spitalin Rajonal të Pejës.

Pak pasi kishte mbërritur në spital, 32-vjeçari nuk mundi t’u bënte ballë plagëve të marra nga goditja e rrymës. Ai ndërroi jetë gjysmë ore pasi u dërgua në spital.

Policia ka bërë të ditur në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, rasti është cilësuar si ‘Hetim i vdekjes’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

(Kosova Sot Online)