IPK jep detaje për suspendimin e policëve në Gjakovë

  • 08 August 2019 - 18:21
IPK jep detaje për suspendimin e policëve në Gjakovë

Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje lidhur me suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë.

Përmes një komunikate për media IPK kanë bërë të ditur se kanë pranuar disa

informacione nga Avokati i Popullit lidhur me dyshimet për tejkalim të autorizimeve policore respektivisht keqtrajtim nga  disa zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Gjakovë.

“Hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacionit kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim me prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime hetimore dhe sigurimin e dëshmive të ndryshme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

Pas mbledhjes së informacioneve nga hetuesit në konsultim me prokurorinë kompetente, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, thuhet tutje.

Në përputhje me ligjin e IPK-së si pjesë e procedurës hetimore Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Gjakovës  (një major, një kapiten, një rreshter dhe tre zyrtarë policorë) deri në përfundim të këtij hetimi penal.

(Kosova Sot Online)