Zbulohet skenari i Hashim Thaçit, kështu po e kërkon ‘shpëtimtarin’ e Qeverisë!

  • 08 August 2019 - 19:20
Zbulohet skenari i Hashim Thaçit, kështu po e kërkon ‘shpëtimtarin’ e Qeverisë!

“Nëse arrin ta bëjë qeverinë në vazhdim pa shkuar në zgjedhje, ruhet dhe forcohet akoma më shumë pozita e tij si president i Kosovës dhe vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, në këtë kundërtën , nëse shkohet në zgjedhje dhe formohet një qeveri e re, me konstalacionin e forcave të reja në Kuvend ndaj Thaçi do të mund të zhvillohet procedura për shkarkimin e tij nga detyra e Presidentit për shkak të shkeljeve të rënda Kushtetuese”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi dyshon se deri në seancën e 22 gushtit, kur duhet të votohet për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, Hashim Thaçi do të bëjë çmos që të ndërtojë prapaskena të atilla nga të cilat do ta arrijë qëllimin e tij për vazhdimin e qeverisjes në formacion të ri politik, dhe duke mos lejuar vendin që të shkojë në zgjedhje të reja, të mos shpërndahet as parlamenti.

Pasi sipas Kelmendit, kështu atij i rrezikohet projekti për pazaret me Serbinë dhe pozita e tij si president vendi.

“Thaçi po punon në bashkëpunim me prapaskenën e politikës dhe nëntokës kriminale, që deri me 22 gusht të krijohet një qeveri, e cila në rend të parë do t`i shërbente Thaçit për qëllimin e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë edhe shkëmbimin e territoreve me shtetin serb. Kjo është një nga arsyet pse akoma Hashim Thaçi nuk po pushon të punoj që të krijon një qeveri të re nga kjo përbërje e legjislaturës së bllokuar tani, qoftë me PSD-në e Shpend Jahtit, qoftë me LDK-në apo me këdo tjetër, vetëm e vetëm që kjo qeveri ti shërbej atij 100% ne realizimin e shkëmbimit të territoreve, gjegjësisht ndarjes së Kosovës”.

“Mundësinë juridike për të krijuar Qeverinë e re e ka koalicioni PAN dhe Thaçi nga Kushtetuta. Dhe natyrisht se ai po e shfrytëzon normën kushtetuese të nenit 95, parag.5, lidhur me ndërtimin e një Qeverie të re, pa shkuar në zgjedhje. Kjo forme e qeverisjes i ndihmon Thaçi më së shumti. Prandaj, është në kërkim të votave në Kuvend dhe të mandatarit të ri për Qeveri”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, derisa dihet që AAK-ja më nuk është pjesë e PAN-it, kurse edhe VV nuk shkon me PDK-në në Qeveri të re pa zgjedhje, formula e vetme mbetet një pazar i madh për t’i bindur që të bashkëngjiten PSD dhe LDK me Behgjet Pacollin dhe NISMËN e Fatmir Limes.

“Sepse këtyre tri partive të vogla politike, pra PSD-NISMA dhe AKR nuk iu shkon për shtati që të mbahen zgjedhjet e reja të parakohshme. Pa një koalicion parazgjedhor as PSD as NISMA dhe as AKR nuk do të fitojnë numrin e tashëm të deputeteve, madje nuk dihet fare se a do të kalojnë vetëm për vetëm pragun zgjedhor kështu që këtu qëndron interesi i tyre që të bëhen pjesë e qeverisë pa shkuar në zgjedhje të reja”, shtoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ndërsa, sipas Kelmendit, interesi i përfitimit nga kjo lojë për Hashim Thaçin është akoma më i madh.

“Nëse arrin ta bëjë qeverinë në vazhdim pa shkuar në zgjedhje, ruhet dhe forcohet akoma më shumë pozita e tij si president i Kosovës dhe vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, në këtë kundërtën, nëse shkohet në zgjedhje dhe formohet një qeveri e re, me konstalacionin e forcave të reja në Kuvend ndaj z. Thaçi do të mundë të zhvillohet procedura për shkarkimin e tij nga detyra e Presidentit për shkak të shkeljeve të rënda Kushtetuese”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Për shkelje të kushtetutës dhe kërkim përgjegjësie, sipas Kelmendit, ka fakte të mjaftueshme që e penalizojnë Hashim Thaçin.

“Vetëm le të kujtojmë disa çështje si: Formimi dhe udhëheqja e klanit "Pronto", futja e emërtimit të shtetit tonë në thonjëza, marrëveshja për Asociacion, jo në kuptimin e asociacionit pa pushtet të tretë, por me pushtet, kalimi i bisedimeve me palën serbe nga bisedimet teknike në politike, bërja palë e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës dhe së fundi deklaratat dhe politika e z. Thaçi për ndarjen e Kosovës. Këto janë vetëm disa prej fakteve që mjaftojnë për procedurë të shkarkimit nga posti Presidentit”, përfundoi profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)