Dikur Xhavit Haliti thoshte se Qeveria rrëzohet veç kur do PDK’ja

  • 10 August 2019 - 08:18
Dikur Xhavit Haliti thoshte se Qeveria rrëzohet veç kur do PDK’ja

Zyrtarët e PDK’së vazhdimisht janë lavdëruar se vetëm ata mund ta rrëzojnë Qeverinë.

Kështu deklaronte Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së PDK’së.

“Ne jemi kundër shkuarjes në zgjedhje dhe jemi kundër rrëzimit të Qeverisë, por po deshi PDK me rrëzu qeverinë ajo rrëzohet nesër”, deklaronte ai.

Por, doli krejt dicka tjetër.

Ramush Haradinaj e rrëzoi Qeverinë dhe po e çon vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Më 22 gusht shpërndahet Parlamenti në një seancë të thirrur nga Kryesia e Kuvendit.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje dy muaj pa i mbushur dy vite të Qeverisë së ndërtuar nga AAK, PDK, NISMA e AKR. Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se i erdhi ftesa nga Gjykata Speciale, e cila është krijuar për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e UÇK’së të dyshuar se kanë kryer krime lufte. Kohëve të fundit, Haradinaj prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë.

Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik. Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendi.

LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt. Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.

Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe. Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.

Ramush Haradinaj është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm. Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues. Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale. 

(Kosova Sot Online)