Mik i Triumf Rizës, dikur punëtor në Irak – ky është i arrestuari për grabitjen në Shtime

  • 10 August 2019 - 19:06
Mik i Triumf Rizës, dikur punëtor në Irak – ky është i arrestuari për grabitjen në Shtime

Agron Mulliqi, miku i fëmijërisë së policit të vrarë në vitin 2007, Triumf Riza, është i arrestuari i dytë për grabitjen e kryer të mërkurën në Shtime.

Insajderi mëson se Mulliqi, 44-vjeç, është i arrestuari i dytë – siç njoftoi sot Policia e Kosovës – për grabitjen në Shtime ku vdiq njëri prej tre grabitësve dhe u plagos një viktimë. Ai është kapur sot nga Policia e Kosovës.

Ndonëse nuk është i njohur për publikun, Agron Mulliqi ishte paraqitur në publik si mik i fëmijërisë së Triumf Rizës, policit të Kosovës që u vra në vitin 2007.

Në një intervistë që kishte dhënë për emisionin dokumentar InDoks rreth 5 muaj më parë, Mulliqi kishte rrëfyer lidhjen e tij me policin Riza.

Në këtë intervistë, 44-vjeçari tregonte se ku ishte ndodhur kur ishte vrarë miku i tij i fëmijërisë, Triumf Riza.

“Unë asokohe isha larg në një kamp të Ushtrisë amerikane në Irak, dhe në varrim më ishte dashur të vija një ditë më pas”, tregoi Mulliqi.

Mulliqi, në këtë rrëfim për media, shprehet se ka qenë disa herë në gjykatë gjatë seancave të mbajtura për rastin e vrasjes së Triumf Rizës. Shprehet se miku i tij kishte qenë simbol në luftën kundër krimit të organizuar në Prishtinë.

“Kam qenë disa herë në gjykatë gjatë gjykimit të atyre. Unë kisha pas dëshirë që ata njerëz të mos lëshohen kurrë. Çka i kanë bërë familjes Riza dhe shoqërisë, nuk kisha dashtë kurrë të lirohen ata njerëz”, rrëfen Mulliqi. “Triumfi ka qenë simbol kundër krimit të organizuar. Ai ka qenë legjendë”.

Një person ka ndërruar jetë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas grabitjes që u krye nga Mulliqi dhe tre të tjerë mëngjesin e së mërkurës në Shtime.

Katër persona të maskuar dyshohet se kishin hyrë në shtëpinë e një qytetari nga diaspora për të grabitur.

Policia ka arritur të kap tre grabitësit që ishin në arrati nga e mërkura. Bëhet fjalë për personat: A.T 34 vjeç, A.T1 44 vjeç dhe Agron Mulliqin, 44 vjeç.

Dy prej të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muajve nga Gjykata. 

(Kosova Sot Online)