Punësimet në KOSTT, gruaja e Gent Begollit u punësua në konkursin që kërkohej të anulohej

  • 10 August 2019 - 19:16
Punësimet në KOSTT, gruaja e Gent Begollit u punësua në konkursin që kërkohej të anulohej

Përveç në Telekom e në KEK, emrat të familjarëve të zyrtarëve në pushtet, me bollëk gjenden edhe në Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës.

Nga 1 tetori i vitit të kaluar, aty punon Flaka Begolli, gruaja e ish-kryeshefit të Telekomit Gent Begolli, pjesë e AAK-së, në pozitën Praktikant Specialist për Tarifa, e angazhuar nga një konkurs për të cilin, siç raportoi televizioni të premten, Inspektorati i Punës, kishte kërkuar të anulohej.

“Flaka Begolli aktualisht është e punësuar në KOSTT nga data 01 tetor 2018, në pozitën: Praktikant Specialist për tarifa, në bazë të konkursit publik të datës 25 korrik 2018, sipas procesit të rregullt të punësimit, konform Ligjit të Punës dhe Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit Publik Nr. 07/2017”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për Komunikim dhe Relacione me Publik – KOSTT.

Në rastin e Begollit, Inspektorati kishte konstatuar se ajo ka 4 muaj përvojë pune në KOSTT dhe 8 të tjera në një punëdhënës tjetër dhe rrjedhimisht, nuk plotësonte kriteret për t’u zgjedhur si praktikante.

Praktikant për 6 muaj në KOSTT ka qenë edhe Shkëlqim Selmanaj, vëlla i Shpëtim Selmanajt, dikur asistent i Ramush Haradinajt e tani Zëvendësdrejtor për Shërbime administrative Financiare në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Angazhimi i tij në pozitën: Praktikant – Asistent Ligjor, ishte bërë në me anë të një konkursi të shpallur më 11 shtator të vitit të kaluar, ndërsa kishte zgjatur ndërmjet datës 15 nëntor 2018 – 14 maj 2019.

“Shkëlqim Selmanaj ka punuar në KOSTT nga data 15 nëntor 2018 deri më datë 14 maj 2019, në pozitën: Praktikant Asistent ligjor në bazë të konkursit publik të datës 11 shtator 2018, sipas procesit të rregullt të punësimit konform Ligjit të Punës dhe Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit Publik Nr. 07/2017. Pas skadimit të kontratës së praktikantit prej 6 muajsh, i ka përfunduar marrëdhënia e punës dhe nuk punon më në KOSTT”, ka thënë në një përgjigje zyra për Komunikim dhe Relacione me Publik – KOSTT.

(Kosova Sot Online)