‘Kulmi i dështimit”, ja skandali më i madh i Kuvendit të Kosovës

  • 10 August 2019 - 19:32
‘Kulmi i dështimit”, ja skandali më i madh i Kuvendit të Kosovës

“Këta deputet më shumë janë kujdesur për interesa personale, për mëditje e udhëtime jashtë vendit, se sa që të miratojnë ligje që janë për interes të qytetarit të Kosovës. Edhe kur kanë qëndruar në sallë për të votuar, ose ka qenë interesi i tyre personal apo partiak, ose ka qenë interes i bizneseve që janë të lidhura ngushtë me ta”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Kuvendi i Republikës së Kosovës po e përfundon këtë mandat të përgjysmuar, duke dështuar nga viti në vit për ta përmbushur agjendën legjislative, sikurse edhe për trajtimin e temave me rëndësi të veçantë për qytetarët dhe zgjidhjen e problemeve të tyre.

Image

Mirëpo kulmi i dështimit po arrin në sesionin pranveror të këtij viti, i cili po përmbyllet së bashku me votimin e shpërbërjes së Kuvendit.

Sipas analistit politik, Faik Krasniqi, skandaloz është fakti se 120 ligjvënësit kanë përmbushur vetëm 18% të agjendës pranverore, edhe atë pa denjuar të përfaqësojnë as edhe në një seancë të vetme interesat e qytetarëve, por vetëm interesat e partive të tyre dhe nëntokës kriminale.

 

 

“Edhe pse kanë qenë të parapara 144 ligje që të shqyrtohen, vetëm 28 ligje prej tyre kanë arritur të miratohen, kurse tani në fund, deputetet vendosën që ta shtyjnë rrëzimin e Kuvendit deri me date 22 gusht sepse kështu po ju bëhen dy vite dhe do të ju njihet mandat i plotë për ta fituar të drejtën e shfrytëzimit të pagesë së deputetit edhe një vit tjetër, dhe eventualisht privilegjet tjera që mundë të vijnë me miratimin e Ligjit për ish deputetët, pensionet suplementare nëse arrihet në vitet në vijim”.

Sipas analistit Faik Krasniqi, të gjitha legjislaturat e deritanishme kanë pasur dobësi të theksuara në funksionim, por këto dy të fundit, kanë arritur kulmin prandaj në të ardhmen mos puna duhet të sanksionohet edhe me ligj.

“Me asnjë legjislaturë në Kosovën e pas luftës nuk mund të mburremi që kanë punuar me efikasitet dhe për interesa të qytetarëve. Por këto legjislaturat e fundit kanë qenë më se skandaloze”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, interesi i vetëm i këtyre deputetëve ka qenë realizimi i interesave personale, por jo të votuesve të tyre.

“Këta deputet më shumë janë kujdesur për interesa personale, për mëditje e udhëtime jashtë vendit, se sa që të miratojnë ligje që janë për interes të qytetarit të Kosovës. Edhe kur kanë qëndruar në sallë për të votuar, ose ka qenë interesi i tyre personal apo partiak, ose ka qenë interes i bizneseve që janë të lidhura ngushtë me ta”, theksoi analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se legjislatura e re, gjithsesi duhet ta miratojë një ligj i cili e definon dhe saktëson saktë përgjegjësinë dhe obligimin e secilit deputet, dhe jo të lihet sjellja në kuvend sipas dëshirës dhe interesit personal, por para së gjithash duhet të jetë interesi i qytetarit.

“Duhet të aprovohet një ligj për deputetët për mos përgjegjësi, deri në marrjen e mandatit të deputetit, të vihet rregull rend e disiplinë në punën e tyre. Por nuk duhet harruar edhe anën tjetër sepse një pjesë të madhe të fajit e kanë edhe votuesit, që votojnë qorrazi, në baza familjare e farefisnore, ose ashtu sic i dikton partia dhe sjellin ne Kuvend njerëz të pa përgjegjshëm. Duhet të ndërpritet edhe kjo praktikë e votimit vetëm për qëllime të tilla”, përfundoi analisti politik dhe njohësi i jetës parlamentare në vend, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)