Festa e Kurban Bajramit, Meta mesazh edhe klasës politike: Dialog gjithëpërfshirës. Kjo ditë të shërbejë për të shëruar…

  • 11 August 2019 - 09:29
Festa e Kurban Bajramit, Meta mesazh edhe klasës politike: Dialog gjithëpërfshirës. Kjo ditë të shërbejë për të shëruar…

Teksa uron besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, Presidenti Ilir Meta jep edhe një mesazh për klasën politike në vend.

Kreu i shtetit shkruan se shpreson që kjo ditë të shërbejë për “dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Evropa!”.

Meta shkruan se kjo dite duhet të shërbejë për të shëruar plagët e thella të shoqërisë si korrupsioni, varfëria, arroganca dhe polarizimi i skajshëm.

 

Mesazhi i plotë i Presidentit:

Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!

Gëzuar Festën e Kurban Bajramit!

Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!

Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithëpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Evropa!

Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje.

Të bashkuar rreth vlerave më të mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t’ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen!

Nga mot Gëzuar Kurban Bajramin!