Nis peticioni për heqjen e memorialit në Tiranë që përkujton të vrarët në “natën e puçit”

  • 12 August 2019 - 17:35
Nis peticioni për heqjen e memorialit në Tiranë që përkujton të vrarët në “natën e puçit”

Një peticion online në faqen e njohur të peticioneve, Change.org,  ka filluar në internet për ta larguar pllakën përkujtimore për turqit e rënë gjatë puçit të dështuar ushtarak në Turqi. Në këtë peticion, përveç largimit të pllakës përkujtimore, kërkohet që të ndryshohet emri i rrugës së quajtur “Rruga e Dëshmorëve të 15 korrikut, dhe ndryshimi i emrit të parkut që gjithashtu quhet “Parku i Demokracisë 15 korriku”.

Peticioni ka filluar nga Neritan Sejamini dhe i dërgohet Këshillit Bashkiak të Tiranës.

“Ne kërkojmë heqjen e emërtimit “Rruga e Dëshmorëve të 15 Korrikut”, heqjen e emërtimit “Parku i Demokracisë 15 Korriku” dhe heqjen e pllakës përkujtimore me emrat e të ashtuquajturve “dëshmorë të 15 korrikut”, të gjitha në Parkun e Liqenit.” shkruhet në peticionin e organizuar.

E arsyeja është fakti që vendimi është marrë në mënyrë sekrete dhe është në shkelje me ligjet shqiptare dhe rregullat bashkiake.

“Vendimi sekret për të përjetësuar një ngjarje të brendshme turke është marrë në shkelje të ligjeve të Shqipërisë dhe të rregullave të Bashkisë Tiranë. Vendimi është marrë pa asnjë dëgjesë apo konsultim publik, duke u mohuar qytetarëve të Tiranës të drejtën për t’u shprehur për të” shkruhet në peticion, duke shtuar se “nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe kombin shqiptar”.


Ndër tjera arsye janë edhe mungesa e një domethënie historike apo kulturore, nuk ka vlerë për breza të ardhshëm, nuk ka rëndësi historike dhe mbështetje nga qytetarët.

“Ngjarja që Bashkia ka vendosur të përjetësojë:

Nuk ka domethënie apo rëndësi historike, kulturore apo shpirtërore për qytetarët shqiptarë; nuk ka vlerë përkujtimore apo simbolike për brezat e ardhshëm; nuk ka rëndësi historike apo kulturore botërore dhe nuk ka domethënie për vlerat e lirisë, demokracisë dhe përparimit njerëzor botëror; nuk ka mbështetje apo pranim të gjerë shoqëror mes qytetarëve të Tiranës” thuhet në përshkrim.

E ndërsa dyshimi pse është bërë ky veprim, mund të jetë politik, pra në shërbim personal të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe interesa vetjake të kryeministrit Edi Rama e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Gjithashtu vlerësohet se “Nënshtrimi i qeveritarëve tanë ndaj një autokrati të njohur për persekutimin e kundërshtarëve politike, për burgosjen e gazetarëve dhe shtypjen e të drejtave të njeriut është, gjithashtu, shkelje e vlerave demokratike perëndimore, të cilat aspiron shoqëria shqiptare”. 

(Kosova Sot Online)