Pesë ambasadat e fuqishme kërkojnë heqjen e menjëhershme të taksës dhe fillimin e dialogut me Serbinë

  • 13 August 2019 - 12:28
Pesë ambasadat e fuqishme kërkojnë heqjen e menjëhershme të taksës dhe fillimin e dialogut me Serbinë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, po kërkojnë nga Kosova heqjen e menjëhershme të taksës dhe fillimin e dialogut me Serbinë. Këtë e kanë bërë përmes një komunikate të përbashkët e cila është përcjellë përmes Ambasadës amerikane në Kosovë, në të cilën theksohet se këto pesë qeveri të fuqishme janë të bashkuara me qëllimin për të parë normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që i kontribuon stabilitetit rajonal

Në këtë komunikatë theksohet se status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe nuk është e qëndrueshme.


“Pas viteve të tëra të ngecjes ka ardhur koha që më në fund të përmbyllen konfliktet e viteve të 90-ta dhe të ofrohet një e ardhme e sigurtë dhe e begatshme për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë duke negociuar në mirëbesim një marrëveshje që mund ta mbështesin të dy palët. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, thuhet në komunikatë.

Pesë shtetet e fuqishme theksojnë se janë të gatshme të forcojnë rolin e tyre në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por thonë se mund ta bëjnë një gjë të tillë vetëm kur Kosova të japë shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”, theksohet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)