Vjen paralajmërimi: Ky është mashtrimi i madh nga PDK-ja dhe Kadri Veseli

  • 13 August 2019 - 15:29
Vjen paralajmërimi: Ky është mashtrimi i madh nga PDK-ja dhe Kadri Veseli

“Deklarimet e Kadri Veselit, se në qeverisjen e tij do të bëjë luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit, në kohën kur i kanë ngufatur të gjitha institucionet me familjarë, farefis të gjerë dhe militant partiak, tingëllon si një mashtrim i pastër për votë pa asnjë garanci për realizim të një premtimi të tillë”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Me afrimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe hetimin e humbjes së madhe të besimit tek qytetarët, madje edhe te një masë e madhe e vetë elektoratit të PDK-së, kjo parti politike në krye me Kadri Veselin i rizgjedhur së fundi kryetar, sipas analistëve politikë, po mundohet që t’i mashtrojnë qytetarët e Kosovës kinse ky subjekt politik është i vetmi që ka për qëllim luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, nëse këtyre ju besohet një mandat i ri i qeverisjes së ardhshme.

Image

Analisti politik, Florim Zeqa konsideron se në një formë kjo fushatë është edhe zbardhje e së vërtetës që e kemi ditur të gjithë deri më tani, se krimi e korrupsioni kanë qenë në maje të shtetit, por se në PDK harrojnë që këta vetë ishin për gati 20 vite pjesë e pushtetit dhe e kanë instaluar në masën kryesore këtë dukuri kancer për zhvillimin e vendit, dhe tani dalin e bëjnë kinse fushatë për ta luftuar atë.

Kjo fushatë mashtruese, sipas analistit Zeqa është e ndëshkuar për dështim.

“Do të jenë të kota përpjekjet e PDK-së dhe kryetarit të rizgjedhur Kadri Veseli që t'i mashtrojnë edhe një herë qytetarët e Kosovës kinse ky subjekt politik është i vetmi që ka për qëllim luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar bë Kosovë nëse këtyre ju besohet një mandat i ri i qeverisjes së ardhshme.

Më shumë se absurde, duken qesharake premtimet për shtet ligjor dhe luftë kundër korrupsionit të një subjekti politik që ka qenë për 20 vite në pushtet dhe përmes të cilit pushtet është instaluar korrupsioni dhe krimi i organizuar, nepotizmi dhe paligjshmëri të shumta”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Madje ai ka pohuar se kreu i PDK-së po sillet sikur të gjithë janë të verbër në këtë vend dhe nuk i shohin të bërat e tyre.

”Deklarimet e Kadri Veselit, se në qeverisjen e tij do të bëjë luftë të pa kompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit, në kohën kur i kanë ngufatur të gjitha institucionet me familjarë, farefis të gjerë dhe militant partiak, tingëllon si një mashtrim i pastër për votë pa asnjë garanci për realizim të një premtimi të tillë”, shtoi Zeqa për “Kosova Sot Online".

Pa u pastruar tërësisht kjo kastë politike nga institucionet, sipas Zeqës nuk ka rezultate as në luftimin e krimit e korrupsionit.

“Që premtimi të bëhet realitet dhe të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, Kadri Veseli me kompaninë e tij, së pari duhet të zbrazin institucionet nga familjarët e tyre, e tek pastaj të deklaroje vetëm një luftë e pa kompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit do të bëjë të mundur që të rinjtë tanë të qëndrojnë e ndërtojnë të ardhmen në Kosovë. Ndryshe, do të mbetet kjo përpjekja më perfide e mashtrimit dhe gënjimit të qytetarëve nga ana e tyre që kanë qenë në krye të zhvatjes dhe të shkatërrimit të shtetit që 11 vjet”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)