Bajrami: Posti i kryeministrit s’duhet të jetë pikë ndarëse mes LDK’së e VV’së

  • 13 gusht 2019 - 23:55
Bajrami: Posti i kryeministrit s’duhet të jetë pikë ndarëse mes LDK’së e VV’së

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kjo parti preferon të hyjë e vetme në zgjedhje, por një gjë e tillë ka shtuar se varet edhe nga sjelljet e partive kundërshtare.

Sipas saj, nëse bëhen të tjerët bashkë, edhe LDK-ja do të detyrohet të reflektojë për një koalicion parazgjedhor.

Pas afrimeve të LDK-së dhe Vetëvendosjes, Bajrami ka thënë se kjo është e vetmja pikë që po shihet si shpresë nga qytetarët.

“Është kohë zgjedhjesh. LDK sapo ka dalë nga procesi i brendshëm. Isa Mustafa u rikonfirmua si kryetar. Jemi në kohë zgjedhjesh, takimi i sotëm mes Mustafës dhe kryetarit të VV-së Albin Kurtit ka të bëjë pikërisht për të uruar Mustafën për rikonfirmim të mandatit të ri në partinë më të madhe dhe mundësitë e bashkëpunimit. Ne kemi bë pothuajse të qarta preferencat tona. Preferojmë që të gjitha partitë e mëdha të shkojnë veç e veç. Do të ishte procesi më legjitim i mundshëm nëse partitë e mëdha do të mateshin. Do të dihej përfundimisht kë do ta donin qytetarët në krye të qeverisë e do të ishte më e lehtë për koalicione paszgjedhore”, ka thënë ajo, raporton ktv.

“Preferencat tona janë që të shkojmë vetë. Po na nxjerrin sondazhet fituese, por s’jemi komodë, jemi vazhdimisht në terren. Por s’varet gjithçka nga preferencat, por edhe nga sjellja e oponentëve. Nëse bashkohen 24-25 parti kundër nesh, ne duhet të reflektojmë për një koalicion”, ka deklaruar më tej ajo.

Bajrami ka shtuar se qeveria e koalicionit PAN “ka qenë pa legjitimitet sepse prej 22 ministrive vetëm dy i takuan partisë së kryeministrit”.

(Kosova Sot Online)