Mashtrimi i madh: Ja skenari i partive politike me sondazhet

  • 15 August 2019 - 07:35
Mashtrimi i madh: Ja skenari i partive politike me sondazhet

“Këto sondazhe të sponsorizuara nga vet partitë politike, përveç që e elektrizojnë pa nevojë situatën parazgjedhore, ato po bëhen më qëllim që ta largojnë vëmendjen e opinionit nga pa aftësia e tyre për t’iu premtuar qytetarëve zgjedhje racionale për problemet e shumta më të cilat sot po ballafaqohen qytetarët e vendit”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”

Analistët politikë po e shohin me sy kritik fillimin e manipulimit të madh të partive politike me elektoratin, duke i përdorë sondazhet e porositura për ta mashtruar qytetarin e zhgënjyer dhe elektrizuar atmosferën para fushatës zgjedhore.

Image

 

Sipas analistit, Nexhat Haziri një fushatë e tillë bëhet vetëm në mungesë të programeve dhe alternativave bindëse të partive politike për ta kthyer besimin e humbur tek qytetarët, andaj me këto sondazhe elektrizojnë klientelat e tyre për të bërë fushatë dhe presin tek qytetarët e pa përcaktuar politikisht se ku do ta japin votën e tyre.

 

“Partitë politike në vend se t’iu ofrojnë apo t’iu paraqesin qytetarëve alternativat e tyre se si mund të dilet nga kjo gjendje e rëndë qoftë në aspektin, politik, ekonomik, social e arsimore, shëndetësor e në fusha të tjera, ku duhet përmendur edhe izolimin e vendit, gjendje kjo në të cilën e solli keq qeverisja e koalicionit PAN, kanë zgjedhur formën e mashtrimit duke sponzorizuar sondazhe të ndryshme në garën e tyre se kush po del e para”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, këto sondazhe për përdorën edhe për të mjegulluar gjendjen e rëndë ekonomike e sociale në vend dhe krimin e korrupsionin që ka zaptuar çdo pore të jetës dhe çdo institucion.

“Prandaj për këtë lojë partitë politika paguajnë shifra të majme të parave nga fondet e pista vetëm që të arrijnë qëllimin e tyre. Këto sondazhe të sponsorizuara nga vet partitë politike, përveç që e elektrizojnë pa nevojë situatën parazgjedhore, ato po bëhen më qëllim që ta largojnë vëmendjen e opinionit nga pa aftësia e tyre për t’iu premtuar qytetarëve zgjedhje racionale për problemet e shumta më të cilat sot po ballafaqohen qytetarët e vendit. Dhe kjo formë të cilën e kanë zgjedhur që përmes sponsorizimeve të sondazheve për ta manipuluar opinionin nga shumica e partive politike, përveç që është korruptive, ka pasojë edhe në rritjen e krizës së mos besimit të qytetarëve, fillimisht në partitë politike, por kjo krizë ka rrezik të forcohet edhe më shumë në raport me institucionet e shtetit që do të udhëhiqen nga këto parti politike”, përfundoi Haziri për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)