Publikohet një fotografi e Tomor Morinës pas lirimit nga paraburgimi

  • 15 August 2019 - 09:31
Publikohet një fotografi e Tomor Morinës pas lirimit nga paraburgimi

Në rrjetet sociale janë publikuar fotografi ku shihet ish-luftëtari i UÇK-së, Tomor Morina, i cili sot u lëshua nga paraburgimi në burgun e Shutkës.

Ish-ushtari i UÇK-së, Tomor Morina, është liruar nga paraburgimi pas tre javësh paraburgim. Nga Shutka, Morina doli i shoqëruar nga zyrtarë të ambasadës së Kosovës, familjarë dhe shokë të tij. Për shkak se Morina ndodhej në veturën e ambasadës së Kosovës, i njëjti nuk u prononcua për media.

Mirëpo në rrjetet sociale janë shpërndarë fotografi ku shihet Morina i shoqëruar nga miqtë dhe familjarët e tij.

Vendimi për lirimin e Morinës erdhi pas mendimit negativ për ekstradim që dha Penalja dhe vendimit të sotëm që Gjykatës Supreme që e vërtetoi vendimin e shkallës së parë.

Autoritetet në Kosovë kanë mirëpritur lirimin e ish-ushtarit të UÇK-së ndërsa lirimi i Morinës shkaktoi reagime në Serbi.

Ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviq, ka thënë se vendimi për mos ekstradimin e Morinës tregon edhe njëherë se politika ishte mbi ligjin dhe drejtësinë, duke e quajtur këtë vendim të turpshëm.

Ish-ushtari i UÇK-së, Tomor Morina, ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të INTERPOL-it, të lëshuar me kërkesë të Serbisë. Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Image

(Kosova Sot Online)